Komuna e Graçanicës ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për përvetësimin e 13 ha dhe 33 akra të pronës komunale në zonën e Graçanicës (vendbanimi i Padalishtës) me synim të realizimit të projektit të ndërtimit të “Qendrës Rezidenciale të Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”.
Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, i cili i është përcjellë Komunës së Graçanicës pa konsultim dhe pa miratim të mëparshëm të komunës, theksohet se sipërfaqet e ngastrave kadastrale pas kalimit të së drejtës pronësore tek Qeveria e Kosovës do t´i jepen në shfrytëzim në periudhë prej 99 vitesh Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, e cila do ta realizojë projektin në fjalë.
Pa hyrë tek thelbi as dhe tek qëllimi i qendrës apo dhe funksionimin e saj në të ardhmen, konsiderojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për përvetësimin e pronës komunale është opsion i turpshëm dhe jodemokratik që ka për synim ta destabilizojë dhe rrezikojë interesin publik të popullsisë lokale.
Në këtë rrugë, dëshirojmë ta informojmë opinionin se Komuna e Graçanicës nuk ka pasur njohuri për projektin përveç emrit të tij, ndërsa për konfiskimin e tokës e ka mësuar prej vendimit që na është përcjellë nga Qeveria e Kosovës
Me këtë rast, Komuna e Graçanicës kërkon nga Qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë e më pas ta tërheqë vendimin për marrjen e tokës pasi duhet të respektohet e drejta e banorëve vendas dhe zëri i tyre në këtë proces. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të organizojë dëgjime publike rreth projektit dhe ndikimit të tij në komunitet me banorët e komunës sonë dhe me organet komunale përgjegjëse.
Pas qasjes në numrat e parcelave kadastrale që janë të cekura në Vendimin e Qeverisë së Kosovës, “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”, do të ndërtohet në Graçanicë në pjesën mes Gjykatës dhe Varrezave të reja të Graçanicës.
Përveç deklarimeve në media të ministrit përgjegjës se për realizimin e këtij projekti “nevojitet një ambient i sigurtë”, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës një përgjigje për çështjen “se në bazë të cilave analizave dhe statistikave u zgjodh pikërisht Graçanica si vend në të cilin do të ndërtohet kjo qendër?”