Ushtruesja e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, ka vizituar sot Komunën e Graçanicës. Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe Komunës së Graçanicës dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës 05/218, ajo ka biseduar me kryetaren e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq dhe ekipin juridik të komunës.
Cornelia Taylor, ushtruese e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë, ka vizituar sot Komunën e Graçanicës pas ftesës së Komunës së Graçanicës për të diskutuar me përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.05/218 të datës 28.08.2024 për ndërtimin e “Qendrës rezidenciale të Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” në tokë kryesisht në pronësi të Komunës së Graçanicës, e cila është shpallur me interes publik nga Qeveria e Kosovës dhe është ndarë për Organizatën bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për 99 vjet.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq dhe ekipi ligjor i Komunës së Graçanicës i prezantuan Cornelia Taylor-it të gjitha detajet rreth veprimeve juridike të ndërmarra nga Komuna e Graçanicës për ta penguar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës në pjesën që ka të bëjë me konfiskimin e tokës komunale.
Përfaqësuesve të OSBE-së, znj. Taylor, iu prezantua qëndrimi i Komunës së Graçanicës se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i kundërligjshëm, në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe se e cenon interesin e Komunës së Graçanicës dhe në një shkallë më të gjerë, dëmton zhvillimin e mëtejshëm të saj, me dëshmi të bashkangjitura që mbështesin qëndrimin e udhëheqësës vendore.
Është bërë me dije se përveç padisë është parashtruar edhe kundërshtimi në Qeverinë e Kosovës, dhe nga OSBE-ja është kërkuar që ta përkrah Komunën e Graçanicës për ta penguar zbatimin e këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, në një bisedë me kryetaren e Komunës së Graçanicës dhe ekipin ligjor komunal tha se OSBE-ja do të bëjë gjithçka për ta shqyrtuar këtë çështje dhe do të veprojë në përputhje me mandatin e saj.
Përveç kësaj teme, ushtruesja e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së ka diskutuar edhe për çështje aktuale, forcimin e bashkëpunimit me OSBE-në përmes realizimit të projekteve në periudhën e ardhshme.
Vizita e ushtrueses së detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, erdhi vetëm pak ditë pasi Komuna e Graçanicës u dërgoi një protestë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe ambasadorëve të QUINTA-s lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovë 05/218 të datës 28.08.2024 duke i ftuar ata të bashkëpunojnë për këtë çështje.