Në organizim të shoqatës “Graçanica jonë” dhe nën patronatin e Komunës së Graçanicës, në Badovcin e Ri u mbajt ngjarja e parë e Pashkëve me një program të pasur kulturo-artistik.
“Kjo është ngjarja e parë në kuadër të shoqatës “Graçanica jonë”, e cila në të ardhmen do t´i mbledhë të gjithë talentet e rinj, shoqëritë kulturore dhe artistike dhe këngëtarët etnikë që aktualisht këndojnë dhe funksionojnë në këtë hapësirë për ta përfaqësuar më mirë komunën tonë në regjionin më të gjerë të Serbisë. Kjo është ngjarja jonë e parë dhe mendoj se gjithçka shkoi mirë. Kemi pasur një ngjarje sportive dhe kulturore, kemi pasur një numër të madh të ekipeve, ndërsa programi kulturo-artistik për herë të parë ishte shumë i mirë”, theksoi Sllavisha Fillipoviq.
Gjithashtu u ndanë çmimet për ekipet më të mira të futbollit që morën pjesë në turneun tradicional të Pashkëve të organizuar në Badovcin e Ri.
“Së pari dua t’ua uroj të gjithëve festën e sotme, në emrin tim dhe në emër të Komunës së Graçanicës, me përshëndetjet “Krishti u ringjall!”. Në emër të Komunës së Graçanicës, dëshiroj t’i uroj organizatorët e turneut për një turne të shkëlqyeshëm. Që organizimi ishte në një nivel të kënaqshëm tregon numri i madh i ekipeve dhe numri i madh i sponsorëve që iu përgjigjën këtij turneu”, tha drejtori i Drejtorisë së Rinisë dhe Sportit, Strahinja Aritonoviq.
“Ne po e vazhdojmë traditën tonë, këtë vit organizata e të rinjve mori iniciativën dhe e organizoi këtë turne të Pashkëve. Gjithashtu u mblodhëm jo vetëm për ta festuar festën më të madhe, por edhe për t’u argëtuar dhe shënuar kujtimet tona”, tha Llazar Arsiq, organizator i turneut të futbollit në Badovcin e Ri.
Qëllimi i kësaj shoqate është që t´i bashkojë të gjithë të talentuarit dhe të rinjtë që e ushqejnë dhe ruajnë traditën dhe kulturën serbe. Në periudhën e ardhshme do të organizohen edhe shumë ngjarje të tjera në territorin e Komunës së Graçanicës.