Turneu i parë i Vidovdanit i tenisit, i organizuar nga Komuna e Graçanicës, u hap sot në Kompleksin sportiv “Dragan Xhajiq” në Graçanicë. Në hapje mori pjesë edhe kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq me bashkëpunëtorët e saj.
Turneu i parë i Vidovdanit i mbajtur në Graçanicë u hap sot me pjesëmarrjen e fëmijëve nga Klubi i tenisit “Sportsko srce” nga Graçanica dhe klubi i tenisit “Zveçan” nga Zveçani.
Ky ishte rasti për kryetaren e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, për ta vizituar këtë ngjarje sportive dhe për t’u dhuruar pajisje dhe rekuizita sportive tenistëve të rinj nga territori i Komunës së Graçanicës.
“Është nder dhe kënaqësi e madhe për mua që kam mundësinë t’i përshëndes të gjithë pjesëmarrësit e turneut të sotëm, i cili bashkon sportistë të rinj, dashamirës të tenisit dhe të gjithë ata që besojnë se sporti i bashkon njerëzit. Do të doja t’u shprehja mirëseardhje të veçantë fëmijëve nga Zveçani. Ngjarje të tilla nuk janë të rëndësishme vetëm për zhvillimin e sportit, por edhe për një stil jetese të shëndetshëm, respekt të ndërsjellë, miqësi dhe unitet. Komuna e Graçanicës do të përpiqet të organizojë edhe më shumë ngjarje të tilla”, tha kryetarja Shubariq.
Drejtori i Drejtoriasë së Rinisë dhe Sportit të Komunës së Graçanicës, Strahinja Aritonoviq, tha se ky është turneu i parë i tenisit dhe se organizimi i këtij eventi është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të komunës, klubeve sportive dhe OJQ-së “Iniciativa rinore e Graçanicës”.
“Turneu i tenisit organizohet në kuadër të projektit “Tingujt dhe ngjyrat e verës” të zbatuar nga Komuna e Graçanicës përmes OJQ-së “Iniciativa rinore e Graçanicës”. Do të ketë më shumë ngjarje që do të organizohen në kuadër të këtij projekti. I mirëpres mysafirët në turne dhe u uroj fëmijëve tanë një ditë të suksesshme sportive. Drejtoria Komunale e Rinisë dhe Sportit mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të sporteve dhe klubeve sportive në territorin e Komunës së Graçanicës, si dhe zhvillimit të bashkëpunimit me klube dhe organizata nga komuna të tjera”, tha Aritonoviq.
Trajnerja e tenisit të klubit nga Graçanica, Marija Gjorgjeviq, është e kënaqur me organizimin dhe numrin e anëtarëve të klubit “Sportsko srce” nga Graçanica.
“Numri i anëtarëve po rritet çdo ditë. Ne kemi disa fusha të mira tenisi në territorin e Komunës së Graçanicës, gjë që e bën punën tonë më të lehtë dhe ofron kushte të mira për fëmijët që të stërviten dhe të luajnë tenis”, theksoi Marija Gjorgjeviq.
Trajneri i klubit të tenisit “Zveçan” nga Zveçani, Goran Vasiq, është gjithashtu i kënaqur me vizitën në Graçanicë, teniserët e rinj të të cilit udhëtuan sot për në Graçanicë për të qenë pjesë e kësaj ngjarje sportive.
“Tenisi është një sport shumë i popullarizuar në Zveçan dhe ka një traditë të gjatë. E dini që babai i Novak Djokoviqit, Srgjan, jetonte në Zveçan dhe kjo na bën krenarë. Klubi ynë ngeci për një kohë, por e ringjallëm rreth tre vjet më parë. Gjithashtu nxorëm kampionin serb Dushan Vukosavljeviq, i cili aktualisht është në pushime të merituara. Ky bashkëpunim që kemi krijuar sot me Komunën e Graçanicës është shumë i rëndësishëm për ne. Këtu jemi vetëm një hap larg njëri-tjetrit dhe, përveç sportit, është i rëndësishëm edhe shoqërimi dhe vënia e buzëqeshjeve në fytyrat e këtyre fëmijëve. Vetë Vidovdani është festa jonë, e cila është një rast i shkëlqyer për t’u mbledhur dhe për t’u argëtuar”, tha Vasiq.
Drejtoria e Rinisë dhe Sportit e Komunës së Graçanicës siguroi medalje dhe kupa për fituesit e turneut të sotëm.