Mbledhja e parë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Graçanicës u mbajt sot, ndërsa mbledhjes i parapriu mbledhja e parë e jashtëzakonshme e Komitetit për Politikë dhe Financa, në të cilën u konfirmua rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit.
Në mbledhje të kryesuar nga Millan Dimitrijeviq u miratua procesverbali nga mbledhja e gjashtë e rregullt, e mbajtur më 23 qershor 2025, ku pastaj drejtori i Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave, Sllavisha Niçiq, e prezantoi raportin gjashtëmujor financiar para asamblistëve, i cili më pas u miratua unanimisht.
Në mbledhjen e KK të Graçanicës u miratua unanimisht edhe propozimi i Vendimit për dhënien e pëlqimit për ndërprerjen e Aneksit III të Kontratës nr.2345/23 të datës 01.06.2023 për ofrimin e shërbimeve me kompaninë NPK “Ekologjia”, me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave, Sllavisha Niçiq. Ndërprerja e Aneksit të kësaj kontrate u paraqit para asamblistëve pasi që një kompanisë tjetër iu dha e drejta për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Komunën e Graçanicës gjatë procedurës së tenderit.
Drejtori i Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave, Sllavisha Niçiq, e prezantoi Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2024 dhe Planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, nga të cilat janë 18 këtë vit, kryesisht të lidhura me mangësi teknike ose lëshime në punë.
Informatat mbi përfundimin e vitit shkollor 2024/25 i paraqiti para asamblistëve drejtoresha e Arsimit dhe Kulturës, Brankica Niqiq, ndërsa Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, të propozuar nga kryetarja e komunës, Ljiljana Subariq, e prezantoi Alleksandar Todoroviqi.
Në mbledhjen e parë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Graçanicës u shqyrtua dhe u miratua propozimi i Vendimit për shfuqizimin e Vendimit nr. 39/2025/KG për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore për parcelat nr. 1998/2, 1999/1, 1999/2, 2007/1, 2007/2, 2008/1, 2008/2, 2008/3 dhe 2008/4 ZK Graçanicë, me propozimin e kryesuesit të KK të Graçanicës, Millan Dimitrijeviq, si dhe propozimi i Vendimit për anulimin e Vendimit nr. 2405/21/KG për shpalljen e parcelës nr. 909-26 ZK Çagllavicë me interes të përgjithshëm publik, me propozimin e kryesuesit Millan Dimitrijeviq.