Instituti i Shëndetit Publik dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit njoftuan se ka pasur një rritje të pranisë së manganit në Liqenin e Graçanicës (Badovcit), prandaj uji nuk rekomandohet për t’u pirë apo për të përgatitur ushqim.
Në një deklaratë të përbashkët, ata theksuan se megjithëse vlerat e këtij metali e tejkalojnë kufirin e lejuar, ato nuk kanë arritur një nivel që konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin. Qytetarëve që furnizohen nga ky sistem u këshillohet ende të mos e përdorin ujin për të pirë ose për të përgatitur ushqim, sepse, siç theksohet, vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.
“Uji mund të përdoret vetëm për mirëmbajtjen e higjienës dhe pastrim”, thuhet në njoftim.
Shtohet se Kompania Regjionale e Ujësjellësit i ka ndërmarrë masat e nevojshme për t’ua siguruar qytetarëve ujë të pijshëm me cilësi të lartë.
Theksohet se do të sigurohen cisternat e ujit në zonat e prekura.
Instituti për Shëndetin Publik dhe Kompania e furnizimit me ujë do të vazhdojnë ta monitorojnë cilësinë e ujit dhe do të njoftojnë se kur do të jetë i sigurt për t’u përdorur përsëri, përkatësisht për t’u pirë.