Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, u takua sot me zëvendësin e shefit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, për bashkëpunimin e ardhshëm.
Zëvendësi i shefit të Zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, vizitoi komunën e Graçanicës me ftesën e kryetarit Srgjan Popoviq. Gjatë takimit janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm, veçanërisht lidhur me përmirësimin e kushteve të punës dhe qëndrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore në territorin e komunës së Graçanicës.
Më së shumti është folur për mundësitë e ndihmës së Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe të Rinjtë në pajisjen e objektit të ri të kopshtit për fëmijët në Uglar, i cili së shpejti do të ndërtohet.
Popoviq dhe Mugaju pastaj vizituan fshatin Uglar, ku i inspektuan punimet në ndërtimin e objektit. Kryetari Popoviq e informoi mysafirin për detajet e ndërtimit të kopshtit për fëmijët dhe me këtë rast theksoi se çdo ndihmë në pajisjen e tij do të ishte e rëndësishme në mënyrë që kopshti të vihej në veprim dhe të jetë në dispozicion për fëmijët dhe edukatorët. U ra dakord që përfaqësuesit e UNICEF-it do ta vizitojnë objektin e kopshtit për fëmijët përsëri sapo të përfundojë për të diskutuar hollësisht për ndihmën e nevojshme.
“UNICEF-i u ftua nga kryetari i komunës së Graçanicës për të gjetur opsione për një bashkëpunim të ardhshëm. Jemi të lumtur që u takuam sot me kryetarin Popoviq dhe ekipin e tij. Ne do të mbështesim komunën e Graçanicës në përpjekjet e saj për tꞌua siguruar institucioneve parashkollore kushtet më të mira për zhvillimin dhe mësimin e fëmijëve”, tha zëvendësi i shefit të Zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, James Mugaju, në një deklaratë të dhënë për Shërbimin Informativ të Graçanicës.
Përndryshe, në Uglar punohet intensivisht në ndërtimin e kopshtit për fëmijët. Objekti i ri do të gjendet pranë shkollës fillore dhe me hapjen e tij do të zgjidhet përgjithmonë problemi i fëmijëve dhe të prindërve nga Uglari, sepse institucioni parashkollor “Gëzimi ynë” ka punuar prej vitesh në një shtëpi private.