Me liturgjinë, litinë dhe prerjen e ëmbëlsirës festive, Graçanica filloi shënimin e Ditës së komunës, festës së Zojës së Vogël. Akademia solemne do të mbahet në Shtëpinë e kulturës së Graçanicës në orën 12:30, me një program të përshtatshëm kulturor dhe artistik.
Shënimi filloi me liturgjinë e shenjtë arhierarkike në Manastirin e Graçanicës me rastin e festës së Lindjes së Zojës së Bekuar, e njohur në popull si Zojë e Vogël, të cilën e shërbeu mitropoliti i Rashkës-Prizrenit Teodosije me bashkëkremtimin e priftërinjve vendas.
Pas liturgjisë, u organizua litia që lëvizi nëpër rrugët e Graçanicës deri në ndërtesën e Komunës së Graçanicës, ku u pre ëmbëlsira festive me rastin e Ditës së Komunës së Graçanicës.
Pas ritualit, kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, e theksoi rëndësinë e unitetit dhe ruajtjes së traditës.
“Jam e lumtur që jemi mbledhur në një numër kaq të madh për ta ndarë gëzimin e festës së sotme. Komuna e Graçanicës shënon dhe feston Festën e Zojës së Vogël dhe, në përputhje me zakonet, kemi përgatitur një ëmbëlsirë festive, grurë dhe qiri. Le të jenë ato simbol i unitetit, paqes dhe bekimeve për të gjithë ne”, tha Shubariq.
Ajo u dërgoi urimet e saj të gjithë qytetarëve me rastin e festës, duke uruar që Zoja e Bekuar të sjellë shëndet, paqe dhe këmbëngulje.
“Graçanica jonë është forca dhe zemra jonë. Kushdo që e mbron Graçanicën, e mbron vatrën, origjinën dhe të ardhmen e tyre”, tha kryetarja e komunës Shubariq.
Me rastin e festimit të Ditës së komunës, edhe këtë vit Graçanicën e vizituan delegacione të shumta. Ka mysafirë nga Novi Sadi, Nishi, Bijeljina, Berane…
Kryeatrja Shubariq theksoi se mbërritja e delegacioneve është një tregues se Graçanica ka miq dhe mbështetje nga të gjitha anët.