Turneu i tretë pesëditor humanitar i punonjësve arsimorë do të hapet të hënën në Gushtericën e Poshtme. Komuna e Graçanicës siguroi pajisje sportive dhe rekuizita, të cilat sot iu prezantuan organizatorëve dhe përfaqësuesve të Shkollës fillore “Knez Llazar”.
Komuna e Graçanicës, përmes Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Kulturës, siguroi pajisje sportive dhe rekuizita për turneun humanitar “Luaj për buzëqeshjen e dikujt”, i cili për të tretin vit radhazi po mbahet në Gushtericën e Poshtme.
Pajisjet organizatorëve të turneut ua dorëzoi kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Kulturës, Brankica Niqiq.
“Turneu i punonjësve arsimorë, i cili mbahet për të tretin vit në Gushtericën e Poshtme dhe po bëhet traditë më vete, mbart me vete një mesazh humaniteti, solidariteti dhe kujdesi për bashkëqytetarët e tij më të cenueshëm. Punëtorët e përkushtuar dhe i gjithë sistemi ynë arsimor, me pjesëmarrjen e tyre, tregojnë unitet dhe një shembull për fëmijët tanë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe besojmë se përkundër rezultateve sportive, të gjithë këtu janë fitues”, tha kryetarja Shubariq, duke ia dorëzuar pajisjet drejtorit të Shkollës fillore “Knez Lazar”, Dragan Maksimoviq.
Drejtori i Shkollës fillore “Knez Llazar” në Gushtericën e Poshtme, Dragan Maksimoviq, i cili është edhe një nga iniciatorët e turneut, falënderoi Komunën e Graçanicës, kryetaren dhe udhëheqjen e saj për mbështetjen dhe fjalët inkurajuese.
“Besojmë se edhe ky turne, si ai i mëparshmi, do të jetë i suksesshëm dhe se do të mblidhen mjete të mjaftueshme për të ndihmuar dikë në luftën e tyre më të madhe jetësore. Këtë vit në pjesën e futbollit të turneut morën pjesë 20 shkolla, 5 shkolla në volejboll dhe 8 në pingpong, që është numri më i madh i skuadrave të regjistruara që nga fillimi i turneut”, tha Maksimoviq.
Turne të suksesshme të pranishmëve u uroi edhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Kulturës, Brankica Niqiq. Ajo deklaroi se Komuna e Graçanicës mbetet përkrahëse për të gjitha shkollat, veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitetet humanitare siç është turneu në Gushtericën e Poshtme.
Vendimi mes disa propozimeve se për “buzëqeshjen” e kujt do të luhet këtë vit do të merret në ditët në vijim në aktivitetin e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme.