Me rastin e Javës së fëmijëve, fëmijët e Kopshtit parashkollor “Gjurgjevak”, të shoqëruar nga edukatoret e tyre, vizituan Komunën e Graçanicës, ku u pritën dhe biseduan me kryetaren Ljiljana Shubariq.
Komuna u vizitua nga mbi 60 fëmijë të maskuar si heronjtë e tyre të preferuar nga filmat vizatimorë, përrallat dhe personazhet e tjerë të famshëm. Para objektit të qeverisjes lokale, ata u pritën nga kryetarja e komunës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, së bashku me bashkëpunëtorët e saj më të afërt. Më pas ajo foli me ta në sallën e Kuvendit të komunës, ku iu janë shpërndarë edhe dhuratat modeste.
Në shenjë mirënjohjeje për mikëpritjen e ngrohtë dhe dhuratat, fëmijët i dhuruan kryetares Shubariq punime dore dhe recituan poezi, të cilat treguan rëndësinë e shënimit të Javës së fëmijëve.
Kryetarja Shubariq tha se është e kënaqur që çerdhet tona janë të mbushura me fëmijë dhe se udhëheqja e Komunës së Graçanicës po përpiqet t’u ofrojë kushte sa më të mira të rinjve dhe edukimit të tyre.
“Uroj që të jeni të shëndetshëm, të gëzuar dhe të lumtur, të punoni shumë dhe të bëheni njerëz të mirë. Komuna do të bëjë çmos që t’ju ofrojë kushte sa më të mira për edukimin dhe arsimimin tuaj”, tha Shubariq.
Kryetarja i falënderoi edhe edukatoret për gjithçka që bëjnë për fëmijët, duke thënë se ata janë pasuria jonë më e madhe dhe se gëzimi i tyre duhet të festohet çdo ditë.
Edukatoret e IP “Gjurgjevak” theksuan se çdo vit marrin pjesë në shënimin e Javës së fëmijëve me aktivitete të shumta dhe vizita në institucione.
Java e fëmijëve shënohet në javën e parë të tetorit për ta tërhequr vëmendjen e publikut për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve. Këtë vit zhvillohet me sloganin – Unë jam fëmijë, kam një plan: tolerancë dhe dashuri çdo ditë.