Komuna e Graçanicës dhe Qendra gjithëpërfshirëse e grave në Novobërdë janë nënshkruese të Aneksit të ri të Memorandumit me qëllim të mbështetjes së Strehimores për viktimat e dhunës në familje. Bëhet fjalë për një shumë trefish më të lartë të mjeteve në krahasim me Memorandumin e vitit 2019.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq dhe drejtoresha ekzekutive e OJQ “Qendra gjithëpërfshirëse e grave”, Vesna Stajiq, nënshkruan sot Aneksin e Memorandumit, i cili siguron mbështetje më të madhe financiare të Komunës së Graçanicës në krahasim me Memorandumin e nënshkruar në vitin 2019.
Për nevojat e strehimores për mbrojtjen e viktimave të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve – “Qendra gjithëpërfshirëse e grave” – Novobërdë, Komuna e Graçanicës do të ofrojë mbështetje financiare për një periudhë pesëvjeçare në një shumë prej 1.500 eurosh në vit në vend të 500 eurove të mëparshme.
Përveç Komunës së Graçanicës, komunat e Novobërdës, Ranillugut, Kllokotit, Parteshit, Shtërpcës dhe Kamenicës janë zotuar gjithashtu për një angazhim financiar për strehimoren në një shumë prej 1,000 eurosh me anë të memorandumit.
Qendra gjithëpërfshirëse e grave vepron në territorin e Komunës së Novobërdës në ambientet e dhëna për përdorim nga Shoqata e Grave të Kthyera “Shtëpia jonë”.
Strehimorja për viktimat e dhunës në familje punon në parandalimin, këshillimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të dhunës në familje dhe është e hapur për viktimat e dhunës nga të gjitha komunat që janë nënshkruese të memorandumit, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare dhe politike ose statusi shoqëror.