Me dhënien e betimit, asamblistët e Kuvendit të Komunës së Graçanicës morën sot mandatin e tyre katërvjeçar. Kryetari i sapozgjedhur i Graçanicës, Novak Zhiviq, gjithashtu mori detyrën.
Sot, në Graçanicë u konstituua Kuvendi i ri i komunës, i përbërë nga 13 asamblistë të Listës Serbe, katër asamblistë të “Aleancës Shqiptare” dhe dy asamblistë të partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.
Kryetari i sapozgjedhur i Graçanicës, Novak Zhiviq, bëri gjithashtu betimin solemn para Kuvendit të ri. Ai u bëri thirrje të gjithëve të jenë të bashkuar, të punojnë së bashku dhe të jenë të përkushtuar në interes të qytetarëve të Graçanicës.
Po e përcjellim fjalimin e plotë të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq:
“Të dashur qytetarë, përfaqësues të nderuar të institucioneve, mysafirë të nderuar, përfaqësues të mediave,
Më është nder dhe kënaqësi që sot qëndroj këtu para jush duke marrë detyrën e kryetarit të ri të Komunës së Graçanicës, duke filluar kështu, së bashku me ju, një kapitull të ri në përmirësimin e qëndrueshmërisë së të gjitha komuniteteve që jetojnë në territorin e Komunës së Graçanicës. Besoj se kemi një qëllim të njëjtë, që është ta bëjmë komunën tonë më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të rregulluar. Ky Kuvend, i cili sot e fillon punën në këtë mandat të ri, është rezultat i vullnetit të qytetarëve. Jemi këtu për ta treguar se bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe puna e përbashkët janë përditshmëria jonë, pavarësisht nga përkatësia kombëtare apo fetare dhe se kjo është e vetmja rrugë e vërtetë drejt përparimit. Të nderuar asamblistë, çdo vendim dhe çdo hap i juaj kërkon mençuri, guxim dhe, mbi të gjitha, durim. Ju ftoj, pavarësisht dallimeve politike, të punojmë së bashku në një atmosferë respekti, nderi dhe ligjshmërie, të mos lejoni që interesat personale politike ose të çdo interesi tjetër të na ndajnë. Ju ftoj në një dialog të hapur, të sinqertë dhe konstruktiv si dhe të merrni pjesë aktive në marrjen e vendimeve që do ta formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Të nderuara media, dua që nga ky vend t’ua përcjellni edhe një herë mesazhin qytetarëve tanë se unë do të jem një kryetar që qëndron pranë qytetarëve të tij, një kryetar që do ta dëgjoj zërin e tyre dhe do të punoj me përkushtim në interes të të gjithëve. Mediat janë partneri ynë i fortë dhe përmes shërbimeve tona dhe unë personalisht do të jem në dispozicion për çdo informacion me rëndësi publike. Kolegë dhe kolege, ju ftoj që së bashku të vazhdojmë të punojmë me zell në fuqizimin e administratës publike dhe infrastrukturës së planifikuar, përmirësimin e shërbimeve komunale, si dhe ta respektojmë dhe vlerësojmë njëri-tjetrin. Do të jemi të hapur për të gjithë partnerët që dëshirojnë të punojmë së bashku përmes ideve, projekteve dhe mbështetjes, por edhe për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë dhe komunat vëllazërore që e duan Graçanicën dhe ku ata janë gjithmonë të mirëpritur ngrohtësisht. Le të jetë ky Kuvend një lloj betimi për të gjithë ne për të ndërtuar, punuar dhe besuar në prosperitet, mbijetesë si dhe për të luftuar që çdo fëmijë të lindë me shpresë dhe çdo person të jetojë me dinjitet. Uroj që në këtë mandat të ri t’u shërbejmë qytetarëve me nder dhe integritet. Punë të mbarë të gjithëve!”
Millan Dimitrijeviq është zgjedhur si kryesues i Kuvendit të Komunës së Graçanicës.
Me 14 vota Pro, 4 Abstenime dhe asnjë votë Kundër, Millan Dimitrijeviq u zgjodh kryesues i Kuvendit të Komunës së Graçanicës, për të cilin ky është mandati i tij i dytë si kryesues i Kuvendit të komunës dhe i treti si asamblist i Kuvendit lokal.
Dimitrijeviq u propozua nga asamblisti Ljubisha Karaxhiq në emër të partisë politike shumicë në Kuvendin të Komunës së Graçanicës – Lista Serbe. Duke arsyetuar propozimin, Karaxhiq tha se ky është mandati i dytë i Millan Dimitrijeviqit si kryesues i Kuvendit të komunës dhe i treti si asamblist i Kuvendit lokal.
“Unë besoj se ai do të ketë durim për të gjithë asamblistët dhe se do ta udhëheqë Kuvendin më mirë se sa në mandatin e tij të mëparshëm. Ky pozicion kërkon përvojë dhe, sipas mendimit të kolegëve të mi nga “Lista Serbe”, ne besojmë se Dimitrijeviqi është personi i duhur për të”, tha Karaxhiq.
Meqenëse nuk kishte propozime të tjera për pozicionin e kryesuesit, u mbajt një votim i fshehtë. Me 14 vota Pro, 4 Abstenime dhe asnjë vote Kundër, Millan Dimitrijeviq u zgjodh si kryesues i Kuvendit të Komunës së Graçanicës.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Graçanicës, Millan Dimitrijeviq, i falënderoi të gjithë asamblistët që morën pjesë në votim dhe shprehu shpresën se puna e të gjithë asamblistëve do të bazohet në interesat e qytetarëve që i zgjodhën ata.
“Është një nder i madh për mua që ma keni dhënë përsëri besimin tuaj. Dua që ne të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më shumë për të gjithë popullsinë e Komunës së Graçanicës gjatë këtij mandati, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Graçanicës dhe të gjithë asamblistët. Besoj se mund të bëjmë më shumë”.
Kryetari i sapozgjedhur Novak Zhiviq mori detyrën nga ish-kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Zhubariq.