Kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq, u takua sot për herë të parë me delegacionin e UNMIK-ut, të udhëhequr nga shefi i sapoemëruar i misionit në Kosovë, Peter Due.
Zhiviq i uroi shefit të UNMIK-ut mirëseardhjen dhe punë të suksesshme, ndërsa Due e përgëzoi Zhiviqin për zgjedhjen e tij si kryetar i Komunës së Graçanicës, duke shprehur gatishmërinë e tij për vazhdimin e bashkëpunimit.
Gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë dhe politike, si dhe sfidat me të cilat përballet qeveria lokale dhe qytetarët.
Zhiviq shprehu gjithashtu shqetësime serioze lidhur me zbatimin e paralajmëruar të Ligjit për të huajt, të cilin ai e vlerësoi se mund të kërcënojë mbijetesën e komunitetit serb.
Duke pasur parasysh përvojën e gjerë të shefit të ri të UNMIK-ut në misionet ndërkombëtare, Zhiviqi i kërkoi z. Due dhe misionit në Kosovë mbështetje më të madhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb, si dhe një reagim për ruajtjen e paqes dhe për t’i parandaluar pasojat që do ta ndërlikonin më tej jetën e qytetarëve.
Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, shprehu gatishmërinë e misionit për të vazhduar bashkëpunimin me Komunën e Graçanicës, duke vënë në dukje se, në përputhje me mandatin e tyre, ata do të vazhdojnë ta monitorojnë situatën në terren.
Takimi u vlerësua si konstruktiv, me marrëveshje të ndërsjellë se dialogu është i nevojshëm për ta ruajtur stabilitetin dhe për ta përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve të Komunës së Graçanicës.