Mbrëmjen e kaluar është grabitur kisha e Shën Dhimitrit në Dobrotin dhe është vjedhur kutia me kontribute vullnetare. Kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq, e dënoi këtë sulm ndaj kishës ortodokse dhe u bëri thirrje autoriteteve t‘i gjejnë dhe ndjekin penalisht përgjegjësit.
“Kisha e Shën Dhimitrit në Dobrotin në Komunën e Graçanicës është përdhosur për herë të dytë në vitet e fundit, gjë që, pas incidentit dhjetë ditë më parë, kur janë shkruar grafitet përçmuese në objektet e Kopshtit për fëmijë dhe Shtëpisë së shëndetit në këtë vend, ka sjellë frikë, shqetësim dhe pasiguri shtesë tek vendasit. Fyerjet, provokimet, vjedhjet dhe përdhosja e objekteve fetare janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një populli, besimit dhe traditave të tij. U bëj thirrje autoriteteve kompetente të policisë që ta rrisin praninë e tyre në Dobrotin, t’i gjejnë dhe ndjekin penalisht përgjegjësit dhe ta mbrojnë popullsinë dhe pronën tonë”, tha kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq.
Sipas informatave të banorëve, policia doli në vendin e ngjarjes dhe kreu hetim, por deri më tani nuk ka informata rreth autorëve.