Me qëllim të përmirësimit të pozitës së personave me aftësi të kufizuara, përfaqësuesit e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, NPK-së “Ekologjia”, Dejan Dimitrijeviq dhe Organizatës së personave me aftësi të kufizuara, Dragan Josifoviq, nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit në fund të vitit të kaluar. Në praninë e tyre u nënshkruan kontratat e punës pranë ndërmarrjes komunale “Ekologjia”.
Memorandumi përcakton aktivitetet e përbashkëta të pushtetit lokal, ndërmarrjes komunale dhe Organizatës për personat me aftësi të kufizuara me qëllim të përmirësimit të të drejtave dhe përfshirjes sociale të personave me aftësi të kufizuara, kryesisht përmes promovimit të punësimit.
Ndër të tjera, Ndërmarrja publike “Ekologjia” është zotuar për këtë qëllim që të hapë konkurs për punësimin e një personi me nevoja të veçanta.
“Sot, pas përfundimit të procedurave, e kemi bërë hapin e parë drejt përmbushjes së obligimeve nga memorandumi dhe e kemi nënshkruar kontratën e punës me një anëtar të Organizatës, Stefan Vesellinoviq. Kjo është një kontratë me të cilën ne kemi treguar se kujdesemi për të gjithë anëtarët e komunitetit tonë dhe shpresojmë që në të ardhmen të ketë shumë të tjerë”, tha drejtori i Ndërmarrjes publike “Ekologjia”, Dejan Dimitrijeviq.
Dimitrijeviqi ka shtuar se përveç Vesellinoviqit, sot është punësuar edhe Alleksandar Cvejiq, i cili për shkak të angazhimit në Ndërmarrjen komunale “Ekologjia”, ka vendosur të kthehet nga Serbia qendrore, ku ishte me punë të përkohshme.
Memorandumi ndërmjet Organizatës me aftësi të kufizuara, Komunës së Graçanicës dhe Ndërmarrjes komunale publike “Ekologjia” është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Ai përfshin bashkëpunimin në aktivitete të ndryshme dhe zbatimin e programeve për t’i ndihmuar njerëzit me nevoja të veçanta.