Organizuar dhe mbështetur nga Komuna e Graçanicës, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare “Women for Women International” dhe “CARE International”, u nënshkrua solemnisht marrëveshja për themelimin e Shoqatës së Grave në Bujqësi “Duart e arta të Graçanicës”.
Kjo ngjarje e rëndësishme u mbajt në Prishtinë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave në zonat rurale, si dhe përmirësimit të bujqësisë lokale përmes punës së përbashkët dhe iniciativave të përbashkëta. Shoqata “Duart e arta të Graçanicës” bashkon gratë e përfshira në bujqësi, prodhimin e ushqimit dimëror, përpunimin e frutave dhe perimeve, gatimin në shtëpi dhe shërbimet e ushqimit, me qëllim të krijimit të një modeli të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe sipërmarrjes së grave.
Në nënshkrimin e kontratës morën pjesë anëtaret e shoqatës së ardhshme, përfaqësueset e organizatave “Women for Women” dhe “CARE”, si dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë të Komunës së Graçanicës, Bogiq Gjuroviq, i cili me këtë rast theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për sipërmarrjen e grave.
“Drejtoria e Bujqësisë qëndron me krenari pas këtij projekti, sepse e dimë sa i rëndësishëm është fuqizimi i grave në fshat dhe t’u japim atyre hapësirën për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit përmes punës së tyre. “Duart e arta të Graçanicës” nuk do të jetë vetëm një shoqatë, por një forcë lëvizëse për zhvillim dhe bashkëpunim në fushën e agrobiznesit”, tha Gjuroviq.
Formimi i kësaj shoqate është rezultat i punës shumëmujore dhe angazhimit të grave nga Graçanica të cilat, përmes edukimit, punëtorive dhe projekteve të ndryshme, zhvilluan idenë e një paraqitjeje të përbashkët në treg, duke bashkuar burimet dhe duke mbështetur njëra-tjetrën. Shoqata pritet t’i fillojë aktivitetet prodhuese në muajt në vijim, si dhe marketingun e produkteve të saj përmes tregjeve lokale, panaireve dhe shitjeve direkte tek klientët.
Komuna e Graçanicës do të vazhdojë t’i mbështesë iniciativat e tilla në të ardhmen, e bindur se gratë janë mbajtës kryesore të ndryshimit në komunitetet lokale dhe meritojnë mundësi të barabarta për progres ekonomik.