Solidariteti dhe empatia ndaj bashkëmoshatarëve të tyre të gjeneratës janë arsyeja e aksionit të maturantëve të Shkollës së mjekësisë në Prishtinë, me seli në Llapllasellë, në bashkëpunim me profesorët e tyre, për të mbledhur mjete për uljen e shpenzimeve të ekskursionit të maturës. Aksionin e maturantëve e ka përkrahur edhe udhëheqja e Komunës së Graçanicës.
Maturantët e Shkollës së mjekësisë janë mbledhur sot para objektit të Komunës së Graçanicës në një aksion të organizuar të matjes së glicemisë dhe presionit të gjakut për të mbledhur një pjesë të parave për t’i ulur shpenzimet e ekskursionit të maturës në bazë të kontributeve vullnetare.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, drejtorët e drejtorive komunale dhe zyrtarët e kanë përkrahur këtë iniciativë dhe me kontributin e tyre i ndihmuan maturantët ta realizojnë idenë e tyre.
Nxënësja Sara Stefanoviq, maturante në programin e studimeve të përgjithshme në Shkollën e mjekësisë, tha se iniciativa është e përbashkët dhe se shpreson që ekskursioni në Itali t’i mbledhë të gjithë maturantët e shkollës së tyre, pavarësisht nga statusi social.
“Ne do të përpiqemi të sigurojmë që paratë, të cilat shpresojmë se do t’i mbledhim, do t’i mbulojnë shpenzimet lidhur me pagesën e biletave për ekskursionin. Ne kemi dashur të tregojmë se jemi të gatshëm t’i sigurojmë ato para me punën dhe mundin tonë, që është brenda fushës së profesionit për të cilin po arsimohemi. Besoj se të gjithë së bashku, me solidaritetin e vendasve dhe falë shokëve tanë dhe kujdestarës sonë, Alleksandra Dimitrijeviq, do të kemi sukses”.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, me bashkëpunëtorët e saj, ishte sot pjesë e aksionit të maturantëve të Shkollës së mjekësisë.
“Jam e lumtur që shoh që fëmijët tanë janë solidarë, se ata e njohin rëndësinë e humanizmit dhe ndjeshmërisë ndaj njëri-tjetrit. Si komunë, ne jemi gjithmonë këtu për ta mbështetur rininë, pavarësisht se nga cila shkollë vijnë iniciativat dhe veprimet. I uroj të gjithë maturantëve të Komunës së Graçanicës një kalim të mirë në ekskursion dhe të krijojnë kujtime që do t’i kujtojnë për jetën e tyre shumë të suksesshme”.
Maturantët e Shkollës së mjekësisë do të udhëtojnë në Itali për një ekskursion të maturës në fund të prillit, ndërsa ngjarja në Graçanicë ishte gjithashtu një mundësi për kryetaren Shubariq që të bisedojë me maturantët për planet e tyre të mëtejshme për arsimimin e tyre.