Kuvendi i Komunës së Graçanicës do t’i parashtrojë kërkesë Qeverisë së Kosovës me të cilën do të kërkojë anulimin e Vendimit për konfiskimin e tokës në vendbanimin Padallishtë në Graçanicë, ku së fundi ka filluar ndërtimi i “Qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”.
Kuvendi i Komunës së Graçanicës e mbajti sot mbledhjen urgjente me rastin e fillimit të ndërtimit të Qendrës së lartpërmendur rezidenciale. Asamblistët u njoftuan me hapat që i ka ndërmarrë Komuna e Graçanicës me qëllim të anulimit të vendimit, por edhe ndalimit të punimeve të nisura së fundmi.
Me shumicën e votave (një kundër) asamblistët e miratuan Kërkesën me të cilën do të kërkohet nga Qeveria e Kosovës anulimi i Vendimit për konfiskimin e tokës, e cila në një pjesë më të madhe është në pronësi të Komunës së Graçanicës dhe është shpallur me interes publik dhe iu është dhënë për 99 vite “Shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e “Qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”.
Me këtë kërkesë kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të ndërmirren të gjitha hapat e mëtutjeshëm në marrëveshje me Komunën e Graçanicës dhe Kuvendin e Komunës së Graçanicës, si organ legjislativ i saj, duke e respektuar nenin 14 dhe nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Për të gjitha masat që Komuna e Graçanicës i ka ndërmarrë për anulimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës, si dhe masat për ndalimin e punimeve, foli juristi publik i komunës, avokati Negovan Sharanoviq.
M. Dimitrijeviq: Veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Graçanicës, Millan Dimitrijeviq, tha se mbledhja urgjente është thirrur për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, sepse me vendimin për konfiskimin e tokës nuk është respektuar Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, e as nuk janë respektuar mendimet e Komunës së Graçanicës.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se sipas informacioneve që kemi, Komuna e Prishtinës ka ofruar dy lokacione më të mira për ndërtimin e kësaj qendre, por Qeveria e Kosovës i ka refuzuar”, tha Dimitrijeviq.
“Gjithçka që po bënë Qeveria është e njëanshme dhe ngre tensione e shqetësime mes popullatës dhe nuk qon në bashkëjetesë paqësore. Shpresoj që më në fund faktori ndërkombëtar t’i mbledhë forcat e tija dhe të thotë mjaft me shkeljen e ligjit, me tolerimin e sjelljeve të dhunshme nga autoritetet qendrore dhe se nuk do të shikojë në heshtje se si shembet gjithçka që ata theksuan dhe ndërtuan”, shtoi Dimitrijeviq.
Drejtori i Kadastrës, D. Fillipoviq: Më 5 mars është kryer parcelizimi.
Drejtori i Kadastës, D. Fillipoviq, shpjegoi se si dhe kur ka ndodhur ndryshimi në kadastër. “Siç e dini, me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës është paraparë që Komunës së Graçanicës t´i merret një pjesë e tokës. Drejtoria e Kadastrës ka konstatuar se me 5 mars të këtij viti është kryer parcelizimi dhe bartja e pronësisë. Kur i kemi vërejtur ndryshimet e kemi njoftuar kryetaren e komunës dhe avokatin publik të komunës dhe menjëherë pas kësaj janë ndërmarrë veprime të caktuara ligjore për ta parandaluar këtë”, tha Fillipoviq.
N. Sharanoviq: Në Gjykatën Kushtetute është paraqitur ankesa, është kërkuar pezullimi i zbatimit të vendimit.
Për masat dhe mjetet e ndërmarra juridike për shfuqizimin e Vendimit të kontestuar të Qeverisë së Kosovës për konfiskimin e tokës nga Komuna e Graçanicës, foli dhe i njoftoi asamblistët avokati publik i komunës, Negovan Sharanoviq.
Ai fillimisht i njoftoi asamblistët me bazat ligjore që ka aplikuar Qeveria e Kosovës në marrjen e vendimit kontestues, duke thënë se ajo është udhëzuar nga Ligji për Pronën Publike, përkatësisht neni 16 – Kalimi i pronës së paluajtshme në pronësi publike, me qëllim të realizimit të interesit publik. Ai theksoi se në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është dorëzuar iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe propozimi për përcaktimin e masës së përkohshme që do ta pezullonte zbatimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës.
“Pas pranimit të vendimit, Komuna e Graçanicës, me iniciativë të kryetares së komunës, ka formuar një ekip ekspertësh me qëllim të parandalimit të pasojave të dëmshme për Komunën e Graçanicës dhe pezullimin e zbatimit të tij. Në këtë aspekt, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është parashtruar padia për anulimin e aktit administrative, me propozim për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës, për të cilin Gjykata ende nuk ka caktuar shqyrtim kryesor, por kërkesa është refuzuar. Prandaj, kundër vendimit të shkallës së parë është bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe ende nuk është marrë vendimi ndaj ankesës. Në ndërkohë, për t’i shteruar të gjitha mjetet juridike të mundshme dhe për të vepruar në mënyrë institucionale, Komuna e Graçanicës e ka dorëzuar iniciativën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Kosovës, së bashku me propozimin për përcaktimin e masës së përkohshme që do ta pezullonte zbatimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës deri në marrjen e aktvendimit. Procedura para Gjykatës Kushtetuese është në proces dhe presim një vendim së shpejti”, tha Sharanoviq.
“Në padinë administrative pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prioritet i është dhënë kundërshtimeve ndaj veprimit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës gjatë miratimit të Vendimit për konfiskimin e pronës së paluajtshme që ishte në pronësi të regjistruar të Komunës së Graçanicës. Një veprim i këtillë i Qeverisë së Kosovës është jotransparent dhe jo gjithëpërfshirës, i karakterizuar ekskluzivisht si i njëanshëm, duke pasur parasysh se Komuna e Graçanicës nuk ishte e informuar nga Qeveria e Kosovës dhe as ministria kompetente, e as nuk ishte konsultuar gjatë përgatitjes së projektit për ndërtimin e Qendrës rezidenciale…”
“Me përjashtimin e Komunës së Graçanicës nga procesi që i ka paraprirë miratimit të Vendimit të Qeverisë së Kosovës, Komuna e Graçanicës është sjellë para një fakti të kryer, me të cilin ekzekutimi i pronës së saj është kryer pa marrë parasysh interesat e vetë Komunës dhe planet e saja për njësitë kadastrale të konfiskuara”.
Sharanoviq rikujtoi se Komuna e Graçanicës tashmë ka ndërtuar objekte administrative dhe sociale në vendbanimin Padallishtë dhe se ishte planifikuar zbatimi i shumë projekteve të tjera, si ndërtimi i parkut diellor, ndërtesa administrative e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, ndërtesa administrative e Ndërmarrjes Publike “Ekologjia” dhe se këto plane tani janë ndërprerë me Vendimin e Qeverisë së Kosovës. Ai shtoi se është evidente se me këtë vendim të njëanshëm Qeveria nuk ka marrë parasysh se po e dëmton zhvillimin e përgjithshëm dhe ekonomik të komunës dhe qytetarëve të saj. Nga sa më sipër, konstatohet qartë se Vendimi është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me parimet themelore të procedurës.
“Qëndrimi ynë është që Vendimi i Qeverisë paraqet akt administrativ në formë të dekretit, i cili është në kundërshtim me parimet e demokracisë, sepse me imponimin e vendimit cenohen interesat e Komunës së Graçanicës dhe më gjerësisht dëmtohet kontributi i saj në zhvillimin e përgjithshëm si të Komunës së Graçanicës, ashtu edhe të Kosovës”, tha Sharanoviq.
Duke u pajtuar me atë që u tha në mbledhjen urgjente të Kuvendit të Komunës së Graçanicës, asamblistët votuan pro propozimit për paraqitjen e kërkesës në Qeveri për anulimin e Vendimit për konfiskimin e tokës në vendbanimin Padallishtë në Graçanicë. Kundër ishte vetëm një asamblist nga komuniteti shqiptar.