21-vjetori i Pogromit të Marsit u shënua me një shërbim përkujtimor, vendosjen e trëndafilave të bardhë dhe akademi komemorative në Graçanicë. Një minutë heshtje edhe për viktimat e zjarrit në Maqedoninë e Veriut.
Shënimi i njëzet e një vjetorit të Pogromit filloi me shërbimin përkujtimor në Manastirin e Graçanicës, të cilin e shërbeu Mitropoliti i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije, të shoqëruar nga priftërit e Kishës Ortodokse Serbe. Në shërbimin përkujtimor në Graçanicë mori pjesë kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, e shoqëruar nga bashkëpunëtorët, si dhe zyrtarët e shumtë, përfaqësuesit e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Listës Serbe, autoritetet dhe institucionet lokale, si dhe një numër i madh qytetarësh.
Të tubuarit më pas kanë ecur përgjatë rrugës kryesore të Graçanicës deri te Shtëpia e kulturës, ku kanë vendosur trëndafila të bardhë në instalacionin artistik kushtuar personave të zhdukur – MISSING, si dhe tek monumenti i viktimave të Pogromit.
Më pas, në Sallën e madhe të Shtëpisë së kulturës u mbajt akademia komemorative, me një program të përshtatshëm, ku u kujtuan vuajtjet e njerëzve, djegia e shtëpive, kishave dhe manastireve ortodokse më 17 dhe 18 mars 2004.
Akademia filloi me himnin “Drejtësia e Zotit” të kënduar nga kori “Mbreti Millutin” nga Graçanica, më pas me një minutë heshtje për viktimat e zjarrit në Maqedoninë e Veriut.
Fillimisht të tubuarve iu drejtua Mitropoliti i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije, e më pas kryetari Srgjan Popoviq. Viktimat e Pogromit – Sllagjana Deniq, Jovan Simiq, Dragan Qirkoviq dhe Dragan Spasojeviq, djali i të vrarit Borivoje Spasojeviq nga Mitrovica, dëshmuan për ngjarjet e tmerrshme të dhunës dyditore të marsit. Millena Parlliq iu drejtua të tubuarve para Zyrës për Kosovë e Metohi.
Në program morën pjesë edhe teologët e Prizrenit, ansambli “Venac”, Shkolla e muzikës “Stevan Mokranjac” dhe nxënësit nga Shkolla e baletit të Shtëpisë së kulturës “Graçanica”.
Shënimi i Pogromit të Marsit do të vazhdojë nesër në orën 19:00 me hapjen e ekspozitës me piktura nga Kolonia e artit “Vjeshta në Prizren 2024” dhe promovimin e koleksionit tematik me rëndësi kombëtare “Pogromi i Marsit 2004: Shkaqet, shkatërrimi, pasojat”.