Në Qendrën e shkollave të mesme në Llapllasellë u mbajt Panairi i 8-të i arsimit “Eja dhe informohu”, i dedikuar për nxënësit e klasave të fundit të shkollave të mesme, të cilin e hapi kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq.
Fakultetet e Universitetit të Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, si dhe kolegjet tjera të studimeve profesionale, i prezantuan programet e tyre të studimit. Nxënësit e klasave të fundit të shkollave të mesme patën mundësinë t’i merrnin të gjitha informatat e nevojshme në një vend për programet, kreditë, bursat dhe përfitimet e tjera të ofruara nga kolegjet.
Panairin e Arsimit e hapi kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, e cila duke i uruar mirëseardhjen të pranishmëve theksoi se arsimi cilësor është baza e çdo suksesi dhe u bëri thirrje studentëve të ardhshëm të jenë të guximshëm dhe të vendosur, t’i ndjekin ëndrrat dhe ambiciet e tyre.
“Panairi nuk është një mundësi për të gjetur fakultetin e duhur, por edhe për të menduar dhe për të marrë një vendim se çfarë të ardhme dëshironi. Besoj, fëmijë të dashur, se gjatë shkollimit tuaj deri tani, keni kuptuar se sa armë e rëndësishme dhe e fuqishme është arsimi, se është themeli dhe çelësi i çdo suksesi, që ju ofron njohuritë, aftësitë dhe vlerat që ju nevojiten që të bëheni të përgjegjshëm, kreativë dhe të suksesshëm, por edhe për të ecur me sukses përmes sfidave të jetës”, tha Shubariq dhe shtoi se studimi në Universitetin e Mitrovicës nënkupton mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në këtë zonë.
“Në këto kohë të vështira për popullin tonë, duke zgjedhur të studioni në Universitetin e Prishtinës, keni vendosur ta ruani gjuhën serbe, kulturën dhe identitetin tonë këtu”, tha Shubariq, duke ju uruar studentëve të ardhshëm shumë suksese në shkollimin e mëtutjeshëm.
Në emër të Universitetit, të pranishmëve iu drejtua prof. dr. Vlladimir Boranijasheviq, i cili theksoi se qëllimi i mbajtjes së panairit është inkurajimi i studentëve të ardhshëm që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik në fakultetet me seli të përkohshme në vendet në veri të Kosovës.
“Përfaqësuesit e të gjitha fakulteteve janë me ju me qëllim që t’ju njohin me kushtet e studimit në programet e studimit, t’ju udhëzojnë me rregullat bazë gjatë aplikimit. Qëllimi ynë është t’ju vëmë në dukje shumë përfitime të tjera të studimit në Mitrovicë, Leposaviq dhe Leshko, akomodimin e ofruar në gjashtë konvikte studentore, shërbimet me çmime shumë të arsyeshme, por edhe ta theksojmë jetën e pasur shoqërore për të cilën kujdesen parlamentet studentore”, tha ndër të tjera Boranijasheviq.