Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Situatave Emergjente, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit, do t‘i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për rehabilitimin sa më të shpejtë të rrugës hyrëse në stacionin e pompimit afër liqenit të Graçanicës, me qëllim që të shmangen ndërprerjet në furnizimin me ujë.
Përkatësisht, rruga që çon deri tek stacioni i pompimit është në një gjendje shumë të keqe dhe bëhet e pakalueshme sa herë që bie shi. Për këtë arsyeje, punëtorët e Ujësjellësit që punojnë në mirëmbajtjen e stacionit të lartpërmendur nuk janë në gjendje të arrijnë deri tek vendet e tyre të punës, gjë që rrezikon funksionimin e fabrikës së ujit, gjegjësisht furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm për konsumatorët në Komunën e Graçanicës dhe një pjesë të Prishtinës.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Graçanicës, Vlladica Trajkoviq, së bashku me përfaqësuesit e Kompanisë Rajonale “Ujësjellësi”, e kanë vizituar rrugën hyrëse që çon deri tek stacioni i pompimit, për të parë në terren se si është gjendja aktuale e saj, por edhe për të gjetur një zgjidhje potenciale për rehabilitimin e saj.
Trajkoviq tha se pushteti lokal do të veprojë dhe pret që ky problem të zgjidhet së shpejti, në mënyrë që punëtorët e Ujësjellësit të kenë qasje të papenguar në stacionin e pompimit dhe në këtë mënyrë të mos rrezikohet funksionimi i Ujësjellësit, por edhe furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm.