Falë projektit të përbashkët të Komunës së Graçanicës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë, pushimorja “Çesma” urinovua plotësisht, duke u dhënë qytetarëve të komunës sonë një vend të ri për të pushuar dhe për të kaluar kohën në natyrë.
Me rastin e përfundimit të projektit, pushimorja e sapondërtuar, e cila ndodhet në gjysmë të rrugës ndërmjet Graçanicës dhe Llapllasellës, u vizitua sot nga përfaqësuesit e Komunës së Graçanicës dhe të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë, të udhëhequr nga kryetarja Ljiljana Shubariq dhe shefja Sona Budajova.
U rindërtua burimi i ujit të pijshëm dhe u hap një kanal kullues. E gjithë sipërfaqja është rrethuar, janë vendosur dy shtëpiza verore, janë ndërtuar shtigjet për këmbësorë, janë vendosur stolat për pushim dhe shportat për mbeturinat, është mbjellë bari, si dhe lulet dhe pemët. E gjithë hapësira ka ndriçim publik, ndërsa është rregulluar edhe rruga hyrëse.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, thekson se përmes këtij projekti është rregulluar komplet sipërfaqja prej disa arësh, e cila në këtë mënyrë ka marrë një dimension të ri dhe më të bukur dhe qytetarët krijojnë një kënd për pushim dhe rekreacion.
“Mendoj se kemi fituar një pushimore të bukur ku bashkëqytetarët tanë do të mund të pushojnë, të kënaqen me familjen dhe miqtë e tyre. Në pranverë ajo do të shkëlqejë në shkëlqimin e saj të plotë dhe të gjithë do të mund të kalojnë kohën e lirë këtu, të kënaqen në fundjavë, gjatë pushimeve, sepse këtu kemi një burim natyror uji, shtëpi verore, stola, pemë, gjithçka që është e nevojshme për të qëndruar në natyrë”, tha kryetarja Shubariq.
Kryetarja rikujtoi se në të njëjtin vend ishte pushimorja që u shkatërrua nga qytetarët e papërgjegjshëm dhe bëri apel që të ruhet ajo që tani është rregulluar dhe ndërtuar.
“Qeverisja lokale do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë, të gjitha me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët tanë”, shtoi Shubariq.
Para se ta vizitojë pushimoren “Çesma”, kryetarja Shubariq diskutoi për vetë projektin, si dhe për bashkëpunimin me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Prishtinë, në ndërtesën e Komunës së Graçanicës, me udhëheqësen e asaj zyre, znj. Sona Budajova.