Përfaqësuesit e Komunës së Graçanicës dje kanë mbajtur diskutime publike për buxhetin me përfaqësuesit e komunitetit rom, si dhe me banorët e Llapllasellës, Preocit dhe Çagllavicës.
Diskutimi publik për buxhetin komunal për vitin e ardhshëm, si dhe për Kornizën afatmesme buxhetore 2025-2027, fillimisht u mbajt në Qendrën rome në Graçanicë me komunitetin rom, ku të pranishmit patën mundësi të bëjnë propozime, përkatësisht t´i paraqesin problemet që duhet të zgjidhen me mjetet e qeverisjes lokale.
Diskutimin e hapi kryesuesi i KK të Graçanicës, Millan Dimitrijeviq, i cili i ftoi të pranishmit t´i paraqesin problemet dhe t´i japin propozimet për investimet e reja. Detajet e buxhetit i ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Sllavisha Niçiq. Në diskutim mori pjesë edhe përfaqësuesi i komunitetit rom në Komunën e Graçanicës, këshilltari Gazmen Sallijeviq.
Drejtori Niçiq përsëriti se buxheti i parashikuar i Komunës për vitin e ardhshëm është 9.953.000 euro, prej të cilave 3.328.000 euro janë planifikuar për projektet kapitale, që është 33.45% e buxhetit të përgjithshëm.
Banorët e Mëhallës rome kërkuan ndërtimin e parkut dhe këndit të lojërave për fëmijë, vendosjen e koshave të plehrave, asfaltimin e rrugëve të mbetura dhe vendosjen e ndriçimit publik të munguar, rindërtimin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, si dhe mbjelljen e pemëve në rrugën kryesore. Asfaltimin e rrugëve dhe këndit të lojërave kanë kërkuar edhe banorët e fshatit Preoc.
Më pas në orët e pasditës, në Shtëpinë e kulturës në Llapllasellë u mbajt diskutimi publik me banorët e Llapllasellës, Preocit dhe Çagllavicës. Dhe kërkesat e tyre nuk ndryshonin shumë nga kërkesat e diskutimeve publike të mbajtura më parë, ku më së shumti janë kërkuar investimet në infrastrukturë.
Banorët e Preocit kërkuan asfaltimin e rrugëve, rikonstruktimin e Shtëpisë së kulturës dhe të Shkollës fillore.
Banorët e Çagllavicës kërkuan asfaltimin e rrugës për në kishë, ndërtimin e gardhit, rehabilitimin e rrugëve dhe parkut, ndriçimin publik në rrugën kryesore, vendosjen e portës në rrethojën e shkollës dhe parkingut pranë shkollës, rehabilitimin e Shtëpisë së kulturës dhe ndërtimin e ndërtesave me disa njësi banimi.
Banorët e Llapllasellës kërkuan ndërtimin e parkingut, rikonstruktimin e stacionit të autobusëve, parkut dhe rrjetit të kanalizimit dhe ndriçimit të rrugëve. Gjithashtu është kërkuar pastrimi i lumit Graçanka.