Me rastin e Javës së fëmijëve, Komunën e Graçanicës e vizituan fëmijët e Institucionit parashkollor “Gjurgjevak” nga Graçanica, të shoqëruar nga edukatoret e tyre. Të maskuar me kostume të ndryshme me temën e vjeshtës, por edhe në personazhet e heronjve të tyre të preferuar, vogëlushit sollën gëzim në ndërtesën e komunës.
Ata u pritën nga drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, Brankica Niqiq, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Zorica Milliq dhe drejtori i Administratës, Vlladica Trajkoviq në sallën e Kuvendit të Komunës së Graçanicës. Për mysafirët më të vegjël është përgatitur një pritje e përshtatshme.
Gjatë takimit, Brankica Niqiq bisedoi me fëmijët për punën e komunës dhe rolin e saj në krijimin e kushteve më të mira për jetën dhe edukimin e fëmijëve.
“Në këtë shtëpi të madhe punojnë njerëz që përpiqen t’ju ofrojnë kushtet më të mira të mundshme për t’u rritur, që rrugët tona të jenë të pastra dhe të ndriçuara mirë dhe që të kemi sa më shumë kënde lojërash, kopshte për fëmijë dhe shkolla”, tha Niqiq dhe më pas i pyeti fëmijët se çfarë do të donin më shumë të kishin në mjedisin e tyre.
Fëmijët ishin të qartë – më shumë parqe dhe kënde lojërash.
“Sot është një ditë shumë e bukur dhe e gëzueshme për ne në komunë. Është një praktikë shumëvjeçare që gjatë Javës së fëmijëve i presim fëmijët nga kopshtet, në mënyrë që t’i njoftojmë disi me punën e komunës. Nga ana tjetër, ata gjithmonë na bëjnë të lumtur dhe na e ndriçojnë ditën me buzëqeshjet, recitimet, lojërat dhe dëshirat e tyre. Sot dëgjuam disa ide dhe dëshira shumë interesante, kështu që si komunë do të përpiqemi t’i bëjmë disa prej tyre realitet”, tha Niqiq në një deklaratë për Shërbimin e Informimit të Komunës së Graçanicës.
Java e fëmijëve shënohet tradicionalisht në javën e parë të tetorit dhe i kushtohet të drejtave dhe nevojave të fëmijëve. Slogani i këtij viti është: “Që fëmijët të jenë të lumtur: dashuri dhe respekt, jo forcë!”