Përkundër përpjekjeve të Komunës së Graçanicës për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e “Qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”, në vendbanimin Padalisht sot kanë filluar punimet për ndërtimin e saj. Komuna e Graçanicës sërish apelon tek strukturat ligjore dhe bashkësia ndërkombëtare që ta ndalojnë këtë proces.
Sot filloi ndërtimi i “Qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” në tokën kryesisht në pronësi të Komunës së Graçanicës, të cilën Qeveria e Kosovës e ka shpallur me interes publik dhe ia ka dhënë Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për shfrytëzim në periudhë prej 99 vitësh.
Po vendoset gurthemeli për ndërtimin e kësaj Qendre, e cila gjendet pranë Gjykatës Themelore, vendbanimit, varrezave ortodokse dhe buzë njërit prej ndotësve më të mëdhenj të mjedisit – mbetjeve të minierës së Djerrinës.
Përkundër të gjitha veprimeve ligjore të ndërmarra, përfshirë ankesën në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës 05/218, i cili është marrë pa konsultim paraprak dhe pëlqimin e komunës, si dhe takimet e shumta me përfaqësues ndërkombëtarë në Graçanicë, mesa duket kjo qendër do të ndërtohet.
Komuna e Graçanicës edhe një herë proteston ashpër kundër ndërtimit të kësaj Qendre në vendin e caktuar për këtë qëllim nga Qeveria e Kosovës, duke përvetësuar kështu pronën komunale dhe duke mos i respektuar të drejtat e banorëve të komunës sonë dhe neve si bartës të pushtetit lokal.
Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese sa më shpejt të fillojë shqyrtimin e ankesës së paraqitur nga ekipi juridik komunal dhe të marrë vendim që nuk do të jetë në kundërshtim me aktet normative juridike dhe interesat e popullatës dhe vetëqeverisjes lokale të tyre.
Komuna e Graçanicës i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ndërtimin e Qendrës ta zhvendosë në një vend që do të jetë më i shëndetshëm dhe social për ata që do të banojnë aty, përkatësisht fëmijët dhe të rriturit me sindromën doun dhe invalidët.