Sot Komuna e Graçanicës përmes Drejtorisë së saj të Rinisë dhe Sportit filloi me realizimin e projektit të ri “Sportisti i vogël”. Drejtori Strahinja Aritonoviq së bashku me trajnerë vizitoi së pari shkollën fillore në Graçanicë për t’u ofruar aktivitete sportive fëmijëve.
Qëllimi i projektit, sipas fjalëve të drejtorit të Drejtorisë së Rinisë dhe Sportit, Strahinja Aritonoviq, është t’u prezantojë fëmijëve bazat e aktivitetit fizik, frymës së ekipit dhe zakoneve të një stili jetese të shëndetshëm në një mënyrë argëtuese dhe edukative.
“Sot filluam me realizimin e projektit, ndërsa pika fillestare ishte Shkolla fillore “Kralj Millutin” në Graçanicë. Qëllimi ynë është t’i inkurajojmë sa më shumë fëmijët që ende nuk janë të përfshirë në sport të stërviten, sepse kjo është mënyra më e mirë që fëmijët të mësohen me një stil jetese të shëndetshëm. Në epokën e sotme kur teknologjia ka përparuar, ne e dimë se është një sukses i madh t’i ndash fëmijët nga telefonat dhe kompjuterët dhe për këtë arsye duam ta përdorim këtë projekt për t’i motivuar fëmijët tanë që të fillojnë me stërvitje si dhe ta forcojnë shëndetin e tyre dhe ta ndërtojnë frymën dhe karakterin e ekipit”, tha Aritonoviq gjatë vizitës së shkollës në Graçanicë.
Projekti është i dedikuar për fëmijët e klasave të ulëta të shkollave fillore, ndërsa sot në Graçanicë, trajnerët u shpjeguan fëmijëve teknikat dhe përfitimet e marrjes me sport.
Përmes një sërë punëtorish interaktive, trajnimeve demonstruese dhe lojërave sportive, fëmijët patën mundësinë të mësonin rreth disiplinave të ndryshme sportive dhe të njihnin një qëndrim pozitiv ndaj sporteve.
Në ditët në vijim, përmes projektit “Sportisti i vogël”, trajnerët do t’i vizitojnë shkollat e tjera fillore në territorin e Komunës së Graçanicës.