Rruga nga Stacioni policor deri te shkolla fillore në Graçanicë mbetet njëkahëshe, por gjatë orëve të mësimit nga ora 07:00 deri në 18:00 do të ndalohet parkimi në anën e majtë të rrugës për ta rritur sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës, u njoftua sot në mbledhjen e dytë të rregullt të Komitetit për Komunitete të Komunës së Graçanicës të kryesuar nga Aziz Karadollami.
Në mbeldhje, para së gjithash, u miratua procesverbali nga mbledhja e parë e rregullt e mbajtur më 09.01.2024, pas së cilës shefi i operacioneve të Stacionit policor në Graçanicë, z. Sulejmani u ka dorëzuar anëtarëve të Komitetit një raport për situatën e sigurisë për janar të vitit 2024.
Policia njoftoi se gjendja e përgjithshme e sigurisë gjatë muajit janar në territorin e komunës së Graçanicës ka qenë e qetë dhe se numri i rasteve të raportuara ka shënuar rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai u bëri thirrje autoriteteve komunale si dhe të gjithë qytetarëve që ta përmirësojnë komunikimin e vazhdueshëm me Policinë në Graçanicë dhe në këtë kuptim tha se pas përfundimit të të gjitha procedurave administrative dhe teknike së shpejti do të emërohet një zyrtar i ri në Stacionin policor në Graçanica me detyrë të përhershme koordinimin e punës me Komunën e Graçanicës.
“Gjatë janarit të vitit 2024 sipas të dhënave statistikore kemi pasur 10 vjedhje, prej të cilave pesë të rënda, katër të lehta dhe një lëndim të rëndë trupor, gjashtë raste të dhunës në familje, 21 aksidente trafiku. E kam për obligim t’ju njoftoj se mbrëmë në Radevë ka mbetur e vrarë një grua 86-vjeçare, pasi nga era e fortë ka rënë mbi të një portë në oborr. Në bashkëpunim me policinë, familja që ndodhej në katin e dytë të shtëpisë në momentin e aksidentit ka qenë dëshmitare e ngjarjes dhe me kërkesën e tyre çështja nuk do të procedohet më tej. Por, policia ka bërë hetime në prani të prokurorit dhe jemi në pritje të raportit të tij”, ka thënë Sulejmani.
Drejtori i Drejtorisë Komunale për Shërbime Publike, Vlladica Trajkoviq, i njoftoi anëtarët e komitetit se pas një takimi të përbashkët me autoritetet në Stacionin policor, Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Graçanicës, si dhe drejtorinë që ai e menaxhon dhe në konsultim me shërbimet tjera profesionale, kryetares së komunës dhe më pas edhe zyrtarisht Stacionit policor i ka përcjellë një shkresë për përmirësimin e sigurisë në rrugën nga Stacioni policor deri te shkolla “Kralj Millutin”.
“Propozojmë që në periudhën në vijim të ndalohet parkimi në anën e majtë të rrugës që çon nga Stacioni policor deri te shkolla fillore për kohëzgjatjen e mësimit në shkollë nga ora 07:00 deri në orën 18:00. Rruga do të mbetet ende njëkahëshe, por me dy korsi trafiku, gjë që rrit kalueshmërinë e saj. Kjo është e nevojshme për shkak të qarkullimit të madh të fëmijëve, prindërve dhe trafikut. Është shumë i nevojshëm lehtësimi i kësaj rruge që në rast nevoje të mbërrijë brenda një kohe të arsyeshme ambulanca dhe zjarrfikësit. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Urbanizmit do ta përmirësojmë sinjalizimin e trafikut përgjatë kësaj rruge. Të gjithë banorët dhe ata që vijnë në Graçanicë sipas nevojës mund të vazhdojnë t’i parkojnë automjetet e tyre në parkingjet e caktuara, veçanërisht te moteli “Arsa”, i cili nuk është i mbushur me kapacitet të plotë sepse shumica e shoferëve e kanë zakon të parkojnë sa më afër tek vendi dhe objekti ku arrijnë, gjë që paraqet një problem të madh për komunën dhe policinë, por edhe për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët”, tha Trajkoviq.
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Urbanizmit, Alleksandra Gjekiq, iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komitetit, pas së cilës kryetari Aziz Karadollami, Komitetit ia prezantoi informatat për raportin vjetor të miratuar.