Festivali dyditor i sporteve dhe lojërave për fëmijë “Luajmë, vallëzojmë dhe rritemi së bashku” është duke u mbajtur në Graçanicë, i organizuar nga Komuna e Graçanicës dhe Organizata turistike e Graçanicës (OTG). Rreth një mijë fëmijë në moshë shkollore do të kenë mundësinë t‘i provojnë sportet e ndryshme dhe të krijojnë miq të rinj sot dhe nesër. Festivalin e vizitoi kryetarja e Komunës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, e cila u uroi atyre të buzëqeshin gjithmonë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
Kompleksi sportiv “Dragan Xhajiq” në Graçanicë është, sot dhe nesër, qendra e mbledhjes së një numri të madh fëmijësh nga të gjitha shkollat fillore në territorin e Komunës së Graçanicës. Arsyeja është Festivali i sporteve dhe lojërave për fëmijë “Luajmë, vallëzojmë dhe rritemi së bashku”, i cili synon t’u ofrojë fëmijëve një përvojë të paharrueshme në aktivitete të ndryshme sportive.
Organizatorët janë Komuna e Graçanicës dhe OTG, dhe sipas tyre, ky është një shembull tjetër se si pushteti lokal kultivon dhe promovon përmbajtje kulturore, sportive dhe argëtuese për të gjitha brezat, veçanërisht për më të vegjlit tanë, duke krijuar kushte për shoqërim dhe gëzim të përbashkët.
Mundësia për të provuar sporte të ndryshme ekipore dhe individuale – futboll, volejboll, pingpong, tenis, karate, kikboks, por edhe lojëra të tjera për fëmijë – iu dha sot fëmijëve të Shkollës fillore “Knez Llazar” nga Gushetrica e Poshtme, Shkollës fillore “Milladin Mitiq” nga Llapllasella, Shkollës fillore “Braqa Aksiq” nga Lipjani dhe fëmijëve të Kuzminit, ndërsa e njëjta mundësi do t’u jepet nesër fëmijëve nga shkollat e tjera. Bazat e disiplinave të ndryshme sportive u treguan me durim nga punonjësit sportivë të Drejtorisë së Sportit dhe Rinisë, së bashku me drejtorin Strahinja Aritonoviq.
Festivalin e vizitoi edhe kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, e cila u uroi atyre që çdo ditë të jetë sa më e bukur, plot buzëqeshje dhe gëzim.
“Jam shumë e kënaqur që është mbledhur një numër kaq i madh fëmijësh dhe që mund t’i përshëndes në emër të Komunës. Ky është vërtet një aktivitet i mrekullueshëm që, mbi të gjitha, synon t’u mësojë atyre një stil jetese të shëndetshëm, respekt, këmbëngulje dhe frymë ekipore. Dua t’u them atyre se ata janë e ardhmja e komunës sonë dhe e shoqërisë sonë, se duhet të buzëqeshin dhe të jenë të lumtur çdo ditë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Vetëqeverisja lokale është këtu për t’u ofruar atyre çdo mbështetje të mundshme dhe për këtë arsye organizoi këtë festival dyditor”, tha Shubariq.
Fëmijët ishin më të kënaqur.
“Më pëlqen shumë të jem këtu sot, provova disa sporte dhe takova shumë miq të rinj. Do të doja të kishte më shumë aktivitete të këtilla”, tha Dimitrije Qirkoviq, nxënës në Shkollën fillore “Knez Llazar” nga Gushterica e Poshtme.
“Luajta volejboll, provova tenis, madje edhe karate dhe gjithçka më duket interesante”, tha dhjetëvjeçarja Sara.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Sportit dhe Rinisë, Strahinja Aritonoviq, përveç projektit “Sportisti i vogël”, fëmijët do ta kenë përsëri mundësinë të mësojnë rreth sporteve të disponueshme në komunën tonë, t’i zbulojnë dhe t’i tregojnë interesat e tyre dhe t’i drejtojnë talentet e tyre në atë drejtim.