Komuna e Graçanicës përmes Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës siguroi nëntë kompjuterë për mbajtjen e mësimit në Shkollën e mesme mekanike në Preoc. Kompjuterët i janë dorëzuar sot shkollës në përdorim nga kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq.
Së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Brankica Niqiq, kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, vizitoi sot Shkollën mekanike në Preoc, ku dorëzoi nëntë kompjuterë për t’i përdorur nxënësit dhe profesorët, karakteristikat moderne teknike të cilat janë të përshtatshme për mësim praktik në këtë shkollë të orientuar profesionalisht.
Për rreth 50 nxënës të kësaj shkolle donacioni është i një rëndësie të madhe sepse sipas drejtorit Nebojsha Rashiq do të modernizohen orët përmes lidhjes së kompjuterëve dhe makinave CNC, të cilat fëmijët do t’i përdorin për ta praktikuar modelimin e drejtpërdrejtë dhe mënyrën e prodhimit të pjesëve të makinave. Ai e falënderoi Komunën e Graçanicës për donacionin dhe i ftoi nxënësit e klasës së tetë që të regjistrohen në këtë shkollë, pas së cilës fitojnë përvojë që është rrugë e sigurt drejt punësimit.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, tha se kjo është vazhdimësi e investimeve komunale në pajisjen teknike të shkollave dhe se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
“Ne kemi fëmijë punëtorë e të zgjuar dhe është detyra jonë t’i krijojmë kushtet më të mira të mundshme për edukimin e tyre. Kjo ndihmë në pajisje kompjuterike për Shkollën mekanike në Preoc është një hyrje në një projekt më të madh kapital që ne planifikojmë ta fillojmë së shpejti. Kjo ka të bëjë me ndërtimin e një aneksi të shkollës në Preoc në mënyrë që fëmijët të kenë një hapësirë më adekuate për ta ndjekur mësimin”, tha kryetarja Shubariq gjatë vizitës së saj në Preoc.
Shkolla mekanike në Preoc ka gjithsej rreth pesëdhjetë nxënës në dhjetë paralele me tre drejtime. Drejtimet në Shkollën mekanike janë teknik mekanik për dizajn me kompjuter, instalues hidraulik, të ngrohjes dhe klimatizimit dhe mekanik i automjeteve.