Kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Administratës, Vlladica Trajkoviq, mbajtën sot një takim me përfaqësuesit e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me qëllim të avancimin e projekteve lokale që kontribuojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe ruajtjen e mjedisit.
Në takim, në të cilin morën pjesë Njomza Hoxha dhe Petrit Ahmeti, në emër të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, u diskutuan mundësitë e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike këtë vit, si dhe efiçiencës së energjisë në ndërtesat individuale vitin e ardhshëm.
Theks i veçantë u vu në projektet që do të sillnin kosto më të ulëta të konsumit të energjisë elektrike për qytetarët, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e jetës.
Kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Zhiviq, theksoi se qeverisja lokale mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët, me qëllim të ofrimit të mbështetjes shtesë për zbatimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës në dobi të qytetarëve.
U vlerësua bashkërisht se efiçienca e energjisë është çështje kursimi dhe përgjegjësie ndaj brezave të ardhshëm dhe se është në interes të ndërsjellë të ofrohen zgjidhje të qëndrueshme përmes bashkëpunimit që do të kontribuojnë në zhvillimin e komunës.
Përfaqësuesit e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar mbështetje për komunën përmes asistencës teknike, shkëmbimit të përvojave dhe mundësive të financimit të projekteve.
Në fund të takimit, u konkludua se ka hapësirë të konsiderueshme për bashkëpunim të mëtejshëm dhe se në periudhën e ardhshme do të përgatiten propozimet specifike për projekte që mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë.