Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj, i vizitoi punimet në asfaltimin e qasjes në objektin e ri të kopshtit “Gjurgjevak” në Sushicë. Në këtë vend, është asfaltuar parkingu pranë varrezave, si dhe hapësira pranë varrezave në Gushtericën e Epërme.
“Kjo do të thotë që infrastruktura lokale është një përparësi, sepse qytetarët i duan rrugët dhe rrugicat e rregulluara. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për ta bërë jetën e përditshme më të mirë. Nuk ka vend në komunën tonë ku një rrugë nuk është shtruar ose rindërtuar. Punimet e sotme në Sushicë janë veçanërisht të rëndësishme sepse presim që kopshti të hapet së shpejti, kështu që do të jetë më e lehtë dhe më e sigurt për fëmijët, prindërit dhe edukatorët të shkojnë atje”, tha kryetarja e komunës Shubariq.
Kryetarja Shubariq theksoi se qeverisja lokale bisedon me qytetarët dhe i dëgjon propozimet e tyre, prandaj të gjitha punimet zhvillohen në përputhje me nevojat.
Kryetarja shtoi se sot është asfaltuar parkingu te varrezat në Sushicë, si dhe hapësira pranë varrezave në Gushtericën e Epërme. Deri në fund të ditës, duhet të përfundojë asfaltimi i rrugës pranë parkingut qendror në Graçanicë (rruga pranë restorantit “Arsa”).
Në asfaltimin e sotëm në Sushicë mori pjesë edhe drejtoresha e Administratës komunale “Gjurgjevak”, Radica Parlliq, e cila e falënderoi kryetaren Shubariq dhe Komunën e Graçanicës për mbështetjen e tyre.
“Komuna po na ndihmon në çdo mënyrë të mundshme dhe ne e falënderojmë sinqerisht. Këtu në Sushicë, presim që dega e re e institucionit tonë të jetë funksionale së shpejti, kështu që rruga hyrëse është me rëndësi të madhe”, tha Parlliq.
Banorët e Sushicës shprehën gjithashtu mirënjohjen e tyre për punimet, pasi që qeveria lokale, siç thanë ata, i njohu nevojat e tyre.