Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, e shoqëruar nga këshilltari Sasha Daniq, e ka vizituar Mlladen Gjoshiqin nga Brnjica e Poshtme, i cili së fundmi është sulmuar fizikisht nga një shqiptar nga ai vend. Me atë rast të riut i është thyer hunda dhe i janë shkaktuar lëndime të tjera në kokë.
Në bisedën me Mlladenin dhe familjen e tij, kryetarja Shubariq tha se i vjen shumë keq për këtë ngjarje fatkeqe, duke theksuar se incidente të këtilla dhe të ngjashme janë të papranueshme, që shkaktojnë frikë dhe ndjenjën e pasigurisë në komunitetin serb.
Mlladen, punonjës i Komunës së Graçanicës, i ka përcjellë detajet e ngjarjes kryetares Shubariq, duke thënë se përveç lëndimit fizik, ai ka përjetuar edhe trauma të rënda psikologjike dhe se kjo ka ndikuar tek djali i tij i mitur, i cili i ka parë të gjitha. Ai dhe familja e tij kanë frikë për sigurinë e tyre.
Kryetarja Shubariq tha se pret që organet kompetente t’i konstatojnë të gjitha rrethanat e këtij incidenti dhe ta ndëshkojnë sa më ashpër sulmuesin.
Ajo theksoi se qeverisja lokale do t’i ofrojë të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e mundshme familjes Gjoshiq për ta tejkaluar situatën e vështirë.
Shubariq posaçërisht theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet ta shikojë më seriozisht pozitën e popullatës serbe në Kosovë dhe të mos jetë e shurdhër dhe e verbër ndaj sulmeve të këtilla dhe të ngjashme.