Në kuadër të shënimit të festës më të gëzuar krishtere, Pashkëve, më 8 prill 2026 në Graçanicë do të mbahet ngjarja e tretë “Magjia dhe aventurat e Pashkëve”. Organizator dhe implementues i ngjarjes është Organizata turistike e Graçanicës, në bashkëpunim me Komunën e Graçanicës.
Gëzimi i mbledhjes me rastin e festës më të madhe krishtere, simbol i lindjes së re dhe jetës së përjetshme, përjetohet më së miri përmes sinqeritetit dhe buzëqeshjeve të fëmijëve. Pikërisht kjo është arsyeja pse ky aktivitet përqendrohet te më të vegjlit, të cilët e bëjnë botën më të bukur dhe më të mirë me gëzimin dhe kreativitetin e tyre. Ngjarja “Magjia dhe aventurat e Pashkëve” do të mbahet në Shkollën fillore “Kralj Milutin” në Graçanicë, prej orës 12:00 deri në orën 14:00. Materialet janë siguruar për të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa hyrja është falas.
Gjatë programit, fëmijët do ta kenë mundësinë të marrin pjesë në punëtori krijuese dhe të tregojnë talentin e tyre duke i pikturuar vezët e Pashkëve. Përveç punëtorive, janë përgatitur edhe lojërat argëtuese me temë Pashkët për fëmijët, të cilat do ta pasurojnë më tej përvojën dhe do të kontribuojnë në atmosferën festive.
“Një vulë të veçantë të kësaj ngjarjeje do t’i japin buzëqeshjet e fëmijëve, të cilat janë simboli më i bukur i Pashkëve dhe gëzimi që sjell kjo festë. Ky është një mundësi që më të vegjlit ta shijojnë magjinë e Pashkëve si artistë të vërtetë dhe krijuesit më të sinqertë të gëzimit dhe dashurisë. I ftojmë të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre të bashkohen me ne dhe të krijojnë së bashku momente të paharrueshme festash”, thuhet në njoftimin e Organizatës turistike të Graçanicës.