Në pritje të festimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve më 1 qershor, Organizata joqeveritare “Putevima sunca”, në bashkëpunim me Komunën e Graçanicës, po punon në promovimin e respektimit të të drejtave të fëmijëve.
Vizita në Komunën e Graçanicës nga nxënësit e shkollave të mesme nga territori i Komunës së Graçanicës është një nga aktivitetet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve të zbatuara nga OJQ-ja “Putevima sunca”.
Në sallën e Komunës së Graçanicës, nxënësit e shkollave të mesme, anëtarë të të ashtuquajturit Ekipi i zërave të rinj (EZR), i cili bashkon të rinjtë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, u pritën nga kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, së bashku me këshilltarin Sasha Daniq dhe drejtorët e drejtorive komunale, Alleksandra Gjekiq, Brankica Niqiq dhe Strahinja Aritonoviq.
Kjo ishte një mundësi për nxënësit, të udhëhequr nga profesoresha Snezhana Mihajlloviq, që t’i paraqisnin kryetares Shubariq dhe drejtorëve propozimet dhe iniciativat e tyre për përmirësimin e statusit të të drejtave të fëmijëve dhe t’i ngrinin çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën jo vetëm të fëmijëve, por edhe të të rinjve, si dhe të të gjithë banorëve të Komunës së Graçanicës.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, i përshëndeti nxënësit dhe i falënderoi për punën dhe përpjekjet që kanë bërë në promovimin e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht pasi ata e shohin Komunën e Graçanicës si institucion, si një mbështetje dhe një shtyllë mbështetjeje, e cila, siç tha ajo, nuk do të mungojë në periudhën e ardhshme.
“Komuna e Graçanicës kontribuon vazhdimisht në përmirësimin e të drejtave të fëmijëve duke investuar në modernizimin e sistemit arsimor, investime në infrastrukturë dhe mbështetje në organizimin e udhëtimeve edukative. Jemi të lumtur që ekziston një iniciativë e këtillë nga ana juaj, e cila është edhe një motivim për ne që të punojmë së bashku në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për t’u rritur dhe për t’u arsimuar. Duke punuar së bashku, duhet të kontribuojmë jo vetëm në respektimin e të drejtave të fëmijëve, por edhe në ruajtjen e gjithçkaje që ndërtojmë së bashku. Ta mbrojmë çdo park, të mos e ndotim mjedisin, t’i respektojmë të drejtat tuaja, por edhe gjithçka që ne, si qeveri lokale, investojmë për cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve në Komunën e Graçanicës”, tha kryetarja Shubariq.
Nxënësit ua lexuan të pranishmëve hartimet e tyre mbi të drejtat e fëmijëve dhe shprehën interes për planet e ardhshme të Komunës së Graçanicës.
Ekipi i zërave të rinj, në kuadër të OJQ-së “Putevi sunca”, me mbështetjen e Komunës së Graçanicës, bashkon të rinj, kryesisht nxënësit e shkollave të mesme, të cilët punojnë në promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe, përmes aktivizmit, i fuqizojnë të rinjtë që të marrin pjesë aktive në proceset shoqërore dhe të jenë zëri i bashkëmoshatarëve të tyre në luftën për të drejtat e tyre. Të rrethuar nga kryetarja e OJQ-së “Putevi sunca”, Snezhana Mihajlloviq, këta të rinj po punojnë aktualisht në promovimin e një filmi dokumentar të shkurtër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.