Nën organizim të Misionit OSBE në Kosovë, me mbështetjen e Komunës së Graçanicës, sot u hap në kompleksin sportiv “Dragan Xhajiq” në Graçanicë kampi multietnik i tenisit, qëllimi i të cilit është që ky sport të promovohet si argëtues dhe i shëndetshëm, ndërsa pjesëmarrësve t‘ju ofrojë mundësinë për përmirësimin e lojës së tyre.
Kampi i tenisit, i cili filloi me hedhjen simbolike të topit, do të mbledhë rreth njëzet teniser të rinj nga komuniteti serb, shqiptar, kroat dhe rom, të cilët do t’i mësojnë bazat e tenisit për dy javët e ardhshme dhe do t’i lejojnë pjesëmarrësit të shoqërohen me bashkëmoshatarët nga komunitetet e tjera.
Kampi u mbështet financiarisht dhe teknikisht, me sigurimin e pajisjeve të nevojshme, nga OSBE-ja, e cila zgjodhi Komunën e Graçanicës si nikoqiren e turneut.
Nënkryetari i komunës së Graçanicës, Sasha Daniq, duke i përshëndetur të pranishmit, theksoi se qeverisja lokale kujdeset për të rinjtë dhe zhvillimin e tyre të duhur dhe të shëndetshëm, prandaj nuk është rastësi që OSBE-ja zgjodhi të zhvillojë një kamp tenisi në kompleksin sportiv në Graçanicë.
“Të dashur fëmijë, ju jeni këtu për t’u argëtuar dhe shoqëruar. Ju jeni këtu për të mësuar rreth tenisit dhe magjisë së tij. Do të mësoni gjithashtu për njëri-tjetrin dhe do të zbuloni se sa e bukur dhe normale është të luani, mësoni dhe punoni së bashku. Ndoshta, besoj se është e mundur, që nga ky kampi ynë të dalë një emër i madh në tenisin botëror”, tha Daniq.
Trajnerja Marija Gjorgjeviq tha se pjesëmarrësit do të mësojnë gjithashtu mbi bazat e lojës së tenisit, se ata do të stërviten dhe garojnë me njëri-tjetrin në një mënyrë argëtuese dhe të organizuar.
“Për shkak të pandemisë aktuale, ajo që ne do të respektojmë së pari është distanca, duke marrë parasysh që ky është një sport që e kërkon atë, sepse njëri lojtar është në një skaj, tjetri në skajin tjetër të fushës. Ne do të punojmë çdo ditë nga e hëna deri të premten, ku do të kemi katër fëmijë brenda një dite, pastaj në një ditë tjetër dhe kështu me radhë deri në fund të kampit”, tha Gjordjeviq.
“Ky është një kamp multietnik i mbështetur nga OSBE-ja, të cilën e falënderojmë, si dhe nikoqirën tonë, Komunën e Graçanicës. Ne do të përpiqemi që në fushë në radhë të parë të shoqërohemi dhe të mësojmë”, shtoi Marija.
Kampi i tenisit në Graçanicë do të zgjasë për dy javë, ndërsa kreu i OSBE-së, Jan Bratu, duhet të marrë pjesë në ceremoninë mbyllëse.