Anëtarët e Stacionit të Zjarrfikësve në Llapllasellë demonstruan funksionimin e dronit për mbikëqrjen vizuale të terrenit, i cili do të përdoret në punën e tyre të përditshme, kryesisht në parandalimin dhe reagimin ndaj zjarreve dhe emergjencave të tjera.
Para Sallës sportive në Llapllasellë, në demostrimin e funksionimit të dronit dhe aftësive të tij morën pjesë përfaqësuesit e Stacionit të policisë së Graçanicës dhe Sektorit të Situatave Emergjente të Komunës së Graçanicës, si dhe ekipet e shumta të gazetarëve.
Droni iu dhurua Stacionit të Zjarrfikësve në Llapllasellë nga Organizata gjermane ASB (Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland e. V.) në kuadër të bashkëpunimit që synon forcimin e kapaciteteve të shërbimeve të mbrojtjes dhe shpëtimit. Përdorimi i tij do të mundësojë një pasqyrë më të shpejtë të situatës në terren, monitorim më të lehtë të zonave të vështira për t’u arritur, si dhe planifikim dhe zbatim më efikas të ndërhyrjeve.
Zëvendëskomandanti i Stacionit të Zjarrfikësve në Llapllasellë, Miodrag Tomiq, theksoi se droni do të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme, veçanërisht gjatë periudhës së korrjes.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos përdorin flakë të hapura gjatë korrjes dhe të mos djegin deponi të egra. Deri më tani, nuk kemi pasur një numër të madh ndërhyrjesh, por problemi më i madh ndodh pas korrjes, kur ka djegie të qëllimshme të mbetjeve të korrjes. Stacioni i Zjarrfikësve ka një numër të vogël të zjarrfikësve, por mbulon një territor të madh, kështu që për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të individëve, nuk mund t’u përgjigjemi të gjitha zjarreve në të njëjtën kohë dhe shumë objekte mbeten të pambrojtura”, tha Tomiq.
Ai shtoi se droni do të përdoret çdo ditë për zbulim të terrenit dhe mbikëqyrje parandaluese, me qëllim të uljes së numrit të zjarreve dhe parandalimit të djegies së qëllimshme. Sipas tij, vetëm gjatë këtij muaji, anëtarët e Stacionit të Zjarrfikësve kanë ndërhyrë rreth 30 herë.
Përfaqësuesi i Sektorit të Situatave Emergjente të Komunës së Graçanicës, Glligorije Maksimoviq, vlerësoi se pajisja e re do ta lehtësojë ndjeshëm punën e të gjitha shërbimeve kompetente.
“Jam i kënaqur që zjarrfikësit morën një dron për mbikëqyrjen e terrenit, sepse kjo do ta bëjë punën më të lehtë si për ta ashtu edhe për ne. Kushdo që kapet duke djegur qëllimisht mbetjet e të korrave do të sanksionohet në përputhje me ligjin nga Inspekcioni komunal. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë banorëve të komunës që të mos djegin mbetjet pas të korrave, në mënyrë që të parandalohen zjarret që mund ta rrezikojnë pronën, por edhe jetën e njerëzve”, tha Maksimoviq.
Organizata “ASB” ia dhuroi dronin Stacionit të Zjarrfikësve në Llapllasellë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa pas përfundimit të procedurës ligjore të regjistrimit, u krijuan kushtet për përdorimin e tij.