Në sallën e Kuvendit të Komunës së Graçanicës u mbajt mbledhja e dytë e jashtëzakonshme e Komitetit për Komunitete, në të cilën është vendosur theksi më i madh në zgjedhjet e ardhshme të këshillave lokale.
Mbledhja u kryesua nga kryetari Milaim Eminoviq, ku morën pjesë edhe zëvendës kryetari i komunës së Graçanicës, Sasha Daniq, i cili u përgjigj në pyetjet e anëtarëve të Komitetit për Komunitete.
Së pari, u miratua procesverbali nga mbledhja e parë e jashtëzakonshme e Komitetit për Komunitete, e mbajtur më 9 janar.
Pastaj, anëtarët e këtij trupi diskutuan për problemet aktuale në komunitete.
Zëvendës kryetari i komunës së Graçanicës, Sasha Daniq, i informoi anëtarët për aktivitetet gjatë këtij muaji.
“I kemi vizituar disa familje të rrezikuara rome, jemi bindur se jetojnë në kushte të vështira dhe ua kemi dorëzuar produkte themelore ushqimore apo dru për ngrohje. I kemi dalë në ndihmë lidhur me sigurimin e dokumenteve personale. Në bashkëpunim me organizatën ROMACTED dhe bashkëfinancim të Komunës së Graçanicës, e kemi inicuar transmetimin e emisionit dyorësh në gjuhën rome dhe punësimin e katër romëve në një periudhë të caktuar kohore, detyra e të cilëve do të jetë ofrimi i informacioneve në gjuhën rome”, tha Daniq.
Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar kërkoi rehabilitimin e ndriçimit publik në Kishnicë dhe Sushicë. Zëvendës kryetari Daniq theksoi se qeverisja lokale ka nënshkruar kontratën e re për mirëmbajtjen e ndriçimit, prandaj pritet që ky problem do të zgjidhet së shpejti.
Pastaj, Daniqi i informoi anëtarët e Komitetit për Komunitete për zgjedhjet e ardhshme të këshillave lokale.
“Dëshirojmë që të jemi përgjegjës dhe transparentë. Publikun e kemi njoftuar për tubimet e planifikuara dhe me këtë rast i bëj thirrje qytetarëve që të vijnë në një numër sa më të madh në këto tubime në mënyrë që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, tha Daniq.