U mbajt mbledhja e katërt e rregullt, në të cilën, ndër të tjera, u miratua raporti tremujor financiar dhe disa raporte të tjera.
Kryesuesi Millan Dimitrijeviq i njoftoi asamblistët e pranishëm me rendin e ditës, të ndryshuar më parë në mbledhjen e katërt të rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa, pas së cilës u miratua procesverbali nga mbledhja e jashtëzakonshme e mbajtur më herët këtë muaj.
Me propozimin e drejtorit të buxhetit dhe financave, u miratua raporti financiar tremujor për vitin 2025, si dhe propozimet për rritjen e buxhetit nga të ardhurat vetanake për vitin 2024 dhe bartjen e mjeteve financiare të pashpenzuara nga viti 2024 në vitin 2025.
Sipas Niçiqit, në tre muajt e parë janë shpenzuar 1,774,791 euro ose 18.20% e buxhetit të përgjithshëm, ndërsa janë realizuar të hyrat në një shumë prej 55,709 euro ose 20.32% e të hyrave vetanake të planifikuara për vitin 2025.
U shqyrtua dhe miratua Plani lokal i veprimit për cilësinë e ajrit 2024-2028, me propozimin e drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Integrime, Nebojsha Millovanoviq.
U miratua Raporti vjetor i punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Situatave Emergjente për vitin e kaluar, i prezantuar nga drejtori Vlladica Trajkoviq. Megjithatë, asamblistët ishin më të interesuar për planet e këtij viti, konkretisht për rehabilitimin e ndriçimit publik, pastrimin e shtretërve të lumenjve, instalimin e sinjalistikës së trafikut e të ngjashme.
“Është nënshkruar kontrata e re për mirëmbajtjen e ndriçimit publik, kështu që presim që të fillojnë punimet intensive të riparimit dhe gjithashtu do të instalojmë drita të reja LED në vend të atyre të vjetra. Kur të mbarojë sezoni i shirave, do të fillojmë edhe me pastrimin e shtretërve të lumenjve”, tha Trajkoviq.
Me propozimin e drejtoreshës së Drejtorisë së Planifikimit, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, u miratua Raporti vjetor i punës së kësaj drejtorie. Asamblistët ishin gjithashtu të interesuar për planet e ardhshme lidhur me përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht asaj rrugore.
Asamblistët e miratuan gjithashtu vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës Ndermarrjes publike-komunale “Ekologjia” sh.a. për ndërtimin e ndërtesës administrative dhe parkingut për automjete dhe makineri, të cilat, sipas tyre, do ta rrisin nivelin e shërbimeve që ndërmarrja u ofron personave fizikë dhe juridikë. Bëhet fjalë për rreth 30 ari pronë të komunës në vendbanimin Padallishtë.
Ëshë shfuqizuar Vendimi për ndryshimin e emrit të një rruge në vendbanimin Marigona.
Raporti vjetor mbi aktivitetet dhe të hyrat e Drejtorisë së Kadastrës u prezantua nga drejtori Dushan Fillipoviq.
Me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bogiq Gjuroviq, asamblistët e përjashtuan Shoqatën e gjuetarëve “Graçanica” nga pagesa e qirasë së vendgjuetisë.
Drejtori Gjuroviq e paraqiti gjithashtu para Kuvendit Raportin vjetor të punës së Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ku më pas i informoi asamblistët edhe për subvencionet e ndara gjatë vitit të kaluar.
Nuk pati diskutim për pikën “Të ndryshme”.