Mbledhja e gjashtë e rregullt e Komitetit për Komunitete u mbajt sot në sallën e Kuvendit Komunal të Graçanicës. Në mbledhjen e kryesuar nga Milaim Eminoviq, u diskutuan sfidat me të cilat përballen të gjitha komunitetet në territorin e komunës së Graçanicës.
Anëtarët e komitetit së pari miratuan procesverbalin nga mbledhja e pestë e rregullt e mbajtur më 05.05.2021, pas të cilit, sipas kërkesës nga mbledhja e mëparshme, komandanti i Stacionit policor në Graçanicë, Bratisllav Trajkoviq, paraqiti raportin e shkurtër mbi situatën e sigurisë në territorin e komunës së Graçanicës.
Bashkërisht është konstatuar se çdo ditë, si institucionalisht ashtu edhe personalisht, duhet të punohet në përmirësimin e situatës së përgjithshme të sigurisë në mënyrë që të mos ndodhin incidente, siç ishte rasti në periudhën e mëparshme.
Sipas kërkesës nga mbledhja e mëparshme, zyrtari i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Boban Marinkoviq, informoi të pranishmit se Komuna e Graçanicës është përgjegjëse për transportimin e nxënësve që ndjekin mësim në territorin kadastral të Graçanicës, por jo për nxënësit që ndjekin mësim në shkollat në Lipjan. Përkundër kësaj, Drejtoria Komunale e Arsimit me vite është përpjekur ta gjejë një zgjidhje për këtë problem me Komunën e Lipjanit, por deri më tani nuk ka pasur rezultate. Propozimi i fundit u dërgua nga Drejtoria Komunale e Arsimit të Komunës së Graçanicës në Komunën e Lipjanit në janar të këtij viti, por përgjigja për këtë propozim nuk është pranuar ende.
Sipas Marinkoviqit, Komuna e Graçanicës është e gatshme të paguajë një pjesë të shpenzimeve për transportin e nxënësve që ndjekin mësim në Lipjan, por nuk mund të marr përsipër detyrimin e plotë, sepse Komuna e Lipjanit është ajo që mori mjete për atë qëllim nga ministria kompetente, e cila gjithashtu u informua për këtë problem.
Mbledhja vazhdoi me prezantimin e problemeve nga anëtarët e Komitetit për Komunitete mbi situatën në komunitetet e tyre.