Sot në sallën e KK të Graçanicës është mbajtur mbledhja e katërt e rregullt e Komitetit Komunal për Komunitete. Kryesuesi Aziz Karadollami ua uroi të gjithë romëve Ditën Ndërkombëtare dhe i ftoi të gjitha komunitetet nga territori i Komunës së Graçanicës që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Në fillim të mbledhjes u miratua procesverbali nga mbledhja e tretë e rregullt, e mbajtur më 09.03.2023, pas së cilës komandanti i Stacionit policor në Graçanicë, Bratisllav Trajkoviq, ua ka përcjellë informacionet anëtarëve të Komitetit për gjendjen e sigurisë në territorin e Komunës së Graçanicës.
Ai në mbledhjen e Komitetit tha se Policia është duke zbatuar plane dhe veprime operative për zbulimin e autorëve të grabitjeve të fundit të shtëpive të ndodhura dhe se çdo ditë po kryhen veprime në terren për parandalimin e aktiviteteve kriminale. Lidhur me këtë, ai tha se është kryer kontrolli në disa lokacione dhe në njërin prej tyre në Llapllasellë, në një lokal afër shkollës, është gjetur një sasi e caktuar lënde narkotike. Sipas Trajkoviqit, Policia e ka ndjekur penalisht të dyshuarin, por ai është liruar me vendim të Prokurorisë.
Duke thënë se gjendja e sigurisë në territorin e Komunës së Graçanicës është më e mirë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, komandanti Trajkoviq u bëri thirrje qytetarëve nga të gjitha komunitetet që ta forcojnë komunikimin me Policinë në Graçanicë, duke i mohuar njëkohësisht pretendimet se kamerat e vëzhgimit në Kishnicë nuk funksionojnë.
Edhe në këtë mbledhje u fol për bashkëpunimin e Këshillave lokale me Komunën e Graçanicës, ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Këshillit lokal Lepinë, Radevë dhe Skullan, Stefan Mitroviq. Ai e vlerësoi Drejtorinë Komunale të Shërbimeve Publike për përkushtimin e tij në zgjidhjen e problemeve komunale të banorëve të këtyre fshatrave dhe në të njëjtën kohë kërkoi përmirësimin e komunikacionit dhe sinjalistikës rrugore në këto tre fshatra, përfshirë edhe Batushën.
Dejan Jevtiq, anëtar i Komitetit për Komunitete, bëri thirrje për shënjimin e rrugës Graçanicë-Sushicë me shirit të bardhë, duke thënë se është e nevojshme për të përmirësuar sigurinë në komunikacion në këtë pjesë, ku shpesh ndodhin aksidente në komunikacion.