Komiteti për Politikë dhe Financa e Komunës së Graçanicës e miratoi së pari procesverbalin nga mbledhja e dytë e rregullt që është mbajtur më 12.03.2015. Në fillim të seancës këshilltari i Lidhjes së serbëve të Kosovës, Goran Laziq, kërkoi heqjen e të gjitha pikave nga rendi i ditës të propozuara nga drejtorët, të cilët nuk ia kanë paraqitur raportin e punës Kuvendit komunal të Graçanicës në periudhën e kaluar.
Pikën e dytë të rendit të ditës – shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për ndarjen e subvencioneve, me propozim të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, e shpjegoi drejtori i Departamentit komunal të administratës, Zvonko Stankoviq, ku pastaj të gjithë këshilltarët e Komitetit votuan pozitivisht. Ndryshimet në lidhje me zvogëlimin e lartësisë së shumave monetare, të cilat ndahen nga kryetari i Komunës së Graçanicës për organizatat joqeveritare, shoqatat dhe klubet e regjistruara sportive, si dhe për persona fizike dhe juridike, kryesisht në fushën e mirëqenies sociale.
Anëtarët e Komitetit njëzëri miratuan edhe propozim-vendimin për dhënien e tokës komunale në përdorim afatgjatë pa procedurë të konkurrimit për të ndërtuar Shtëpinë e gazetarëve në Graçanicë, me propozim të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq. Kryesuesja e KK të Graçanicës, Brankica Kostiq, i njoftoi këshilltarët me kërkesën e Shoqatës së gazetarëve të Serbisë, e cila i ka paraprirë propozimit të këtij vendimi për dhënien e tokës ndërtimore në territorin e Komunës së Graçanicës për të ndërtuar Shtëpinë e gazetarëve. Të gjithë këshilltarët ranë dakord se ideja është e mirë dhe që në këtë mënyrë do të përmirësohet puna e gazetarëve.
Gjatë shqyrtimit të pikes së katërt, kryesuesja Brankica Kostiq i njoftoi këshilltarët se pas dorëheqjes së Vladeta Kostiqit dhe Ljubinko Karaxhiqit në pozitë të këshilltarëve janë propozuar emrat e Sinisha Simonoviqit dhe Predrag Kapetanoviqit, propozimi i cilëve është mbështetur me votën e këshilltarëve.
Në vazhdimin e mbledhjes është miratuar raporti tremujor i Departamentit të Financave, si dhe raporti i Departamentit të Shërbimeve Publike.
Gjatë shqyrtimit të kësaj pike të rendit të ditës këshilltari i opozitës, Vidak Ristoviq, kërkoi angazhimin më të madh të komunës dhe paralajmëroi mbështetjen e opozitës kur bëhet fjalë për djerrinën e minierës së Kishnicës dhe digës në liqenin e Graçanicës, ndërsa kryesuesja Brankica Kostiq, në cilësi të anëtarit të Komitetit, kërkoi edhe angazhimin më të madh të Departamentit të Shërbimeve Publike në lidhje me transportin e ngarkesave të mëdha në rrugën magjistrale që kalojnë përmes Graçanicës, me çka është rrezikuar siguria në komunikacion.
Anëtarët e Komitetit miratuan edhe propozimin për aprovimin e mjeteve financiare për shtypjen e revistës “FUSHA JONË”, me propozim të drejtoreshës së Departamentit të Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gordana Toskiq.
Polemikë më të madhe mes këshilltarëve shkaktoi shqyrtimi i pikes së tetë të rendit të ditës lidhur me shndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore të investitorit Hisni Hoxha në Llapnasellë për të ndërtuar, siç e shpjegoi drejtori i Departamentit të Planifikimit, Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Dejan Jovanoviq, një fabrikë për prodhimin e tretsirëve infuzioni dhe të oksigjenit. Jovanoviq tha se ky vendim do të ishte në interes të përgjithshëm, pasi që, siç tha ai, Komuna e Graçanicës me këtë do ta zhvillojë zonën e saj të biznesit, e cila edhe kështu është më e madhja në Kosovë dhe e cila në vit mbledh rreth 300 mijë euro në emër të tatimit në pronë. Jovanoviq gjithashtu ka thënë se me ndërtimin e kësaj fabrike do të ketë interes edhe Qendra klinike në Graçanicë, e cila do të furnizohet falas nga kjo fabrikë. Këshilltarët e opozitës e kanë kundërshtuar ashpër këtë propozim, duke theksuar se me këtë vendim do të inkurajohet shitja e pronave të serbëve dhe do të ndryshohet struktura gjeografike, kështu që për këtë propozim nuk do të votohet pozitivisht në mbledhjen e nesërme. Goran Laziq e kritikoi edhe Planin zhvillimor të Komunës së Graçanicës edhe pse, siç tha Jovanoviq, është hartuar në kohën e udhëheqjes së kaluar të Komunës së Graçanicës, kështu që tashmë është ndryshuar vetëm në pjesën e cila ka të bëjë me ndërrimin e destinimit, ku leja për këtë, përveç që kërkohet nga Kuvendi komunal duhet të jepet edhe nga ministritë përgjegjëse.
Këshilltarët e Kuvendit komunal të Graçanicës në mbledhjen e nesërme, në kuadër të rendit të ditës, do të shqyrtojnë edhe propozimin për ndryshimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore të investitorit “Al Treid” ZK Uglar, me propozim të drejtorit të Departamentit të Planifikimit, Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Dejan Jovanoviq.
Nën pikën “të ndryshme” këshilltarët ua parashtruan disa pyetje shërbimeve përkatëse, ndërsa Goran Laziq, me pyetje tjera i është drejtuar kryesuess së Kuvendit me një lutje përmes të cilës ka kërkuar nga ajo që të bisedojë me kryetarin për ta aprovuar pagesën e mjeteve të rregullta mujore për familjen e Zoran Koliq nga Dobrotini, i cili po vuan një dënim me burg dhe familja e tij jeton në kushte të vështira.
Për pikat e propozuara të rendit të ditës këshilltarët e KK të Graçanicës do të diskutojnë edhe nesër në mbledhjen e Kuvendit komunal, e cila do të fillojë në ora 11:00, në të cilën do të merrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq.
Mbledhja e tretë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunës e Graçanicës u mbajt sot në lokalet e KK të Graçanicës.