Në objektin e Komunës së Graçanicës është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Graçanicës, ku është miratuar raporti financiar nëntëmujor. Është miratuar çmimorja e re e shërbimeve të NPK “Ekologjia”, sipas të cilës qytetarët do të paguajnë 4,5 euro në vend të 4,64 për grumbullimin e mbeturinave.
Mbledhja filloi me miratimin e Rendit të ditës, ku pastaj u miratua edhe procesverbali nga mbledhja e mbajtur në fund të shtatorit të këtij viti.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Buxhetit dhe Financave komunale, Sllavisha Niçiq, e ka shpjeguar raportin financiar nëntëmujor, i cili u miratua njëzëri nga asamblistët.
Në mbledhje është shqyrtuar Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2022, si dhe Plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve, me propozim të kryesuesit Millan Dimitrijeviq.
Janë miratuar edhe vendimet në lidhje me shërbimet dhe punën e NPK “Ekologjia” Sh.A. Graçanicë – ndryshimi në çmimoren e shërbimeve, ndryshimi në Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Graçanicës dhe Aneksi i Kontratës për ofrimin e shërbimeve, të cilat janë shpjeguar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Vlladica Trajkoviq.
“Kemi kërkuar një mundësi për përmirësimin e pozitës së punëtorëve, ku një nga mënyrat ishte rritja e çmimit të shërbimeve, por në atë mënyrë që të mos ishte në kurriz të qytetarëve. Komisioni i Aksionarëve dhe Komuna e Graçanicës kanë dalë me propozim që shërbimi i grumbullimit dhe largimit të mbeturinave të rritet në 6.5 euro, por në këtë mënyrë që banorët të paguajnë 4.5 euro, ndërsa 2 euro të tjera të kompensohen nga komuna”, tha Trajkoviq.
Ai saktësoi se tash e tutje, në vend të 4.64 eurove aktuale, banorët do të paguajnë 4.5 euro për atë shërbim dhe shtoi se për shkak të rritjes së shpenzimeve të tjera ka ndryshuar edhe çmimi për bizneset dhe kategoritë e ndryshme ekonomike.
Në mbledhjen e shtatë të rregullt u ofruan informacionet për subvencionet nga Drejtoria e Bujqësisë për vitin 2023, të cilat i ka ofruar drejtori Dragisha Stojanoviq, si dhe informacionet për fillimin e vitit shkollor 2023/2024, të cilat janë prezantuar nga zyrtari Mirosllav Iviq, i cili ka thënë se sezoni i ngrohjes ka filluar pa probleme dhe se institucionet arsimore janë furnizuar me material ngrohës.